Projekt për punësimin e mbi 200 të sapodiplomuarve
Projekti për punësimin e të sapodiplomuarve pritet të vazhdojë për vit të tretë radhazi sipas Zyrës Rajonale të Punësimit. Ky projekt, që ka si fokus punësimin e punëkërkuesve të papunë që sapo kanë përfunduar studimet e larta, do të kryhet edhe këtë vit në bashkëpunim me biznese private, si banka dhe kompani me peshë në treg. Burime nga Zyra e Punës bëjnë të ditur se projekti pritet të punësojë mbi 200 punëkërkues. Vitet e kaluara, me anë të këtij instrumenti për nxitjen e punësimit kanë filluar punë mbi 400 të sapodiplomuar.
Projekti për të sapodiplomuarit
Për të tretin vit radhazi do të vijojë programi për punësimin e të sapodiplomuarve, të cilët do të mund të kryejnë stazhin menjëherë sapo të dalin nga bankat e shkollës. "Ky ishte një sukses i programit vitin e kaluar. Ndërsa tani jemi në pritje të studentëve që do të diplomohen brenda muajit gusht. Programi është shtrirë në të gjithë vendin, ndërsa për Tiranën pothuaj është dyfishuar si fondi, ashtu edhe numri i përfituesve. Nga 150 të rinj që përfituan vjet, këtë vit do të përfitojnë 250 të rinj që kanë mbaruar arsimin në dy vitet e fundit", - thanë burime nga Zyra e Punës.
Ky projekt, vitin e kaluar kishte qindra kërkesa për këtë program dhe sipas Ministrisë së Punës, ai ishte tërësisht i suksesshëm, çka bëri që të vijonte edhe një vit.
"Nxitja e të rinjve që pritet të diplomohen këtë vit, do të kryhet me një fond prej Zyrës së Punës në bashkëpunim me drejtuesit e fakulteteve dhe ne jemi duke përgatitur një fushatë informuese për të rinjtë, me synim që të gjithë të interesuarve t'u jepet një mundësi trajnimi dhe më pas punësimi", - u shprehën nga Zyra Rajonale e Punësimit..
Aplikimi bëhet në Zyrat e Punësimit ku kandidatët duhet të paraqesin dokument identifikimi dhe vërtetim që janë të papunë, së bashku me dëshmitë e aftësive të tyre.
Nxitja e punësimit
Nxitja e punësimit është një nga përparësitë e Ministrisë së Punës. Deri tani, kjo ministri ka zhvilluar një sërë aktivitetesh që shërbejnë për punësimin e të papunëve, si panairet e punës të organizuara në të gjithë vendin. Për më tepër, me anë të buxhetit të kësaj ministrie është bërë e mundur hartimi i projekteve, që subvencionojnë ato ndërmarrje që punësojnë persona në nevojë, si kryefamiljarë të papunë, persona me aftësi të kufizuara e të tjerë.
Nga analiza e tregut të punës në Shqipëri vërehet se në listën e punëkërkuesve të regjistruar në zyrat e punës, përqindjen më të lartë të tyre e zënë persona me kualifikim të ulët ose pa kualifikim, gjë që e bën të vështirë integrimin e tyre në tregun e punës dhe përshtatjen me kërkesat në rritje të tij për punëtorë të specializuar.
Nisur nga ky fakt, një nga objektivat e Ministrisë së Punës dhe zyrave të punës, për vitin 2009 është kualifikimi i këtyre të papunëve në përputhje me kërkesat e tregut të punës. Për këtë, sipas burimeve nga ministria, do të shërbejnë kurset e formimit profesional, të cilat jepen falas nga zyrat e punës në mbarë vendin.