E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk u shkel privatësia. Filmimi sjell prova të qarta

Intervistë me sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, Aidan White, dhënë për “Top Channel”

Z. White, çfarë mendoni për vendimin e një gjykate shqiptare që gjobit televizionin “Top Channel” lidhur me një emision investigativ, ku një ish-ministër kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune?

Ky është një rast vërtet shqetësues. Personalisht më duket se këtu kemi të bëjmë me një sfidë serioze mbi të drejtën e gazetarëve për të raportuar siç duhet çështje të interesit publik. Nëse një përfaqësues i qeverisë është i përfshirë në aktivitete që duken korruptive, për mua gazetarët, media, kanë përgjegjësi për ta raportuar atë. Kjo gjë ndodhi në rastin në fjalë, dhe për sa di unë, pasojat e këtij fenomeni u njohën dhe nga individi në fjalë, përderisa qeveria pranoi largimin e tij menjëherë. Pra kjo dëshmon se investigimi i medias ishte i vlefshëm, në interes të publikut, dhe gjithçka e vërtetë. Ndaj jam shumë i habitur që pas kësaj ngjarjeje, vendimi i gjykatës shkoi kundër medias, kundër gazetarit, dhe për mua duket si vendim për të intimiduar gazetarët që të bëjnë gjëra të ngjashme në të ardhmen. Ky është lajm shumë-shumë i keq. Kjo çështje sfidon konventat ndërkombëtare e europiane për të drejtat e njeriut dhe për lirinë e shprehjes. Ndaj them se ky vendim duhet të sfidohet.

- A mund ta shpjegoni më qartë se ku bie ndesh kur përmendni konventat europiane...?

"Artikulli 10 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut shprehet mbi mbrojtjen e gazetarëve që ushtrojnë aktivitet legjitim për të raportuar të lirë, si pjesë e mandatit të tyre në kuadër të lirisë së shtypit. Tani, kur qeveria, apo aty ku individë të veshur me pushtet përdorin influencën e tyre ndaj medias, duke u munduar që të ndalojnë shfaqjen apo transmetimin e materialeve me interes publik, kjo shkon kundër lirisë së shprehjes. Ka pasur raste të panumërta përpara Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut, e cila e ka shprehur shumë qartë se individë me profil të lartë në jetën publike, si anëtarë të qeverisë për shembull, nuk duhet të përdorin të drejtën e tyre për jetë private, për të penguar apo ndaluar gazetarët që të ushtrojnë këqyrjen e tyre legjitime për të hetuar. Shiko, akuza këtu është që gazetari është përfshirë në jetën private të ministrit në fjalë. Të gjithë kemi të drejtën e një jete private dhe është ekstremisht e rëndësishme për demokracinë. Por, kur je zyrtar publik, kur je zgjedhur për të qenë në një zyrë publike, kur ke një pozicion serioz për jetën publik, ku ti ke përgjegjësi për mirëqenien e të tjerëve, është absolutisht e duhur që ti të jesh subjekti i shqyrtimit të posaçëm për shkak të rolit që luan dhe pushtetit që përdor. Në çdo nivel, në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, në forume ndërkombëtare, ku kjo situatë është diskutuar, është pranuar plotësisht se zyrtarë të lartë politikë, zyrtarët e lartë të jetës publike, që imponohen në imazhin publik për të mbajtur kredibilitetin e pozicionit të tyre, e vënë personin e tyre të lirë për t'u hetuar në nivele të ndryshme. Kjo do të thotë, që ne të gjithë kemi një jetë private, por kur ti merresh me afera publike, e kur zgjedh politikën, ti dorëzon një pjesë të kësaj jete private, në mënyrë që të kënaqësh hetimet rutinë mbi punën tënde. Kjo është më se e qartë.

- A lejohet dhe a është i justifikueshëm përdorimi i kamerave të fshehta për të regjistruar zyrtarët e lartë apo në këtë rast një ministër?

- Përdorimi i mjeteve përgjuese është një çështje e diskutueshme. Kamerat e fshehta apo mikrofonat e fshehur janë gjithmonë shumë delikatë e të vështirë për gazetarët, ndaj duhet të tregohemi të kujdesshëm për këto. Kemi bërë një fushatë për këtë gjë, ku e kemi sqaruar mirë se përdorimi i kamerave apo regjistruesve të fshehtë duhet të bëhet gjithmonë si mundësia e fundit. Kjo do të thotë që veç në këtë mënyrë ti mund të jesh në gjendje të marrësh informacionin që është në interes të publikut. Pra është e justifikuar, është legjitime, por vetëm në raste të veçanta.

- A ishte i tillë në këtë rast?

"Po absolutisht që ishte, sepse le të imagjinojmë të kundërtën, ku ngjarja do të ishte e tillë: ju keni dikë që ju raporton se është ngacmuar seksualisht nga ky ministër, kështu që çfarë do bësh? Ti je gazetar, i vë mikrofonin ministrit e i thua: Zoti ministër, ju jeni akuzuar për ngacmim seksual. A është e vërtetë kjo? Ai do të thotë jo. Natyrisht që do të thotë jo, sepse me shumë të drejtë do të thotë: Ku janë provat tuaja? E nëse kjo grua vjen e thotë: Unë jam prova. Mbetet gjithnjë një rast ku është fjala e saj kundër fjalës së tij. Për rrjedhojë është e pazgjidhshme. Ndaj në këtë rast veçanërisht, mënyra e vetme për të gjetur prova, që të ishin të qarta, shumë të besueshme dhe të pakundërshtueshme, ishte që ta vije ministrin përballë provës. U bë deklarimi, media vendosi se ishte rast i duhur për t'u hetuar. Një kamerë e fshehtë u përdor. Dhe, në fund, kjo provoi dhe mishëroi se deklarimi kundër ministrit ishte korrekt. Kushdo që e sheh këtë filmim, e sheh se këtu kemi absolutisht prova të qarta. Në një rast të tillë duhet të pyesni veten: Së pari, a justifikohet sipas interesit publik? Unë them që po, ai ishte ministër i qeverisë, pra ka një status shumë të rëndësishëm. Së dyti: A ishte mundësia e fundit për gazetarin? Kjo është e qartë. Nuk shoh mundësi tjetër sesi gazetari apo media mund të gjente këtë informacion. Së treti: A u prezantua, a u publikua në një mënyrë profesionale, ku u respektuan normat e gazetarisë? Mendoj se për këtë s'ka dyshime që u bë kështu. Pra, në përgjigje të këtyre pyetjeve, për mua përdorimi i kamerës së fshehtë ishte i justifikueshëm dhe provoi pse ndonjëherë është ekstremisht e rëndësishme që gazetarët dhe mediat të përdorin këto metoda.

Po gjobën e vënë nga gjykata, si e gjykoni?

Niveli i gjobës, kur e krahason me raste të tjera, qoftë kriminale, e sheh menjëherë se është disproporcionale. E në fakt niveli i gjobës sugjeron që në njëfarë mënyre gjyqësori dërgoi sinjal paralajmërues te mediat e tjera për të mos u përfshirë me në këto lloj aktivitetesh. Kjo është shokuese. Ka një numër aspektesh ku ne jemi të shqetësuar. Së pari është përgjigjja e ministrit që atakon median, së dyti bëhet ndjekje penale, së treti është niveli i gjobës. Të gjitha këto tregojnë për një problem serioz për të drejtën e gazetarëve dhe medias në Shqipëri, për të qenë në gjendje që të investigojnë afera dhe figura publike në mënyrë serioze. Për këtë arsye, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve është ekstremisht e shqetësuar. Po shoh se çfarë në mund të bëjmë më shumë, në mënyrë që autoritetet shqiptare, gjykatat dhe qeveria shqiptare, të prapësohen nga këto lloj konfrontimesh me median, sepse është potencialisht katastrofike për lirinë e saj.

Marrë nga “Top Channel”

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›