E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-krerët e KQZ-së: Komisionerët e përhershëm zgjedhorë, proces delikat

Debati Flasin për “Shqip” Kristaq Kume dhe çlirim Gjata: Krerët e komisioneve, të jenë profesionistë

Nisma e Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për stabilizimin e një personeli njerëzor të përhershëm për administrimin e procesit elektoral në nivelin e dytë (Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor – KZAZ) ka hapur debatin e parë për Kodin e ri Zgjedhor. Si një risi për opinionin e gjerë, por jo për profesionistët e fushës, ai ka nxitur zgjerimin e sugjerimeve, të cilat gjithsesi bashkohen në nevojën për ndryshime në kuadrin aktual. I pyetur nga gazeta “Shqip”, ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, çlirim Gjata, ka ofruar një ide të vetën, që kombinon praninë e komisionerëve partiakë me atë të nëpunësit shtetëror. “Për mendimin tim, komisionerët partiakë le të jenë të pranishëm në të gjitha nivelet. E rëndësishme është që kryetari i komisioneve apo edhe grupeve të numërimit të jetë një nëpunës shtetëror, përgjegjësia e të cilit të jetë e sanksionuar qartë me ligj. Si e tillë, edhe administrimi pasqyron përfaqësimin politik, teksa garanton mbarëvajtjen pse përgjegjësia është e nominuar te kryetari që është një zyrtar shtetëror”, tha Gjata. Sipas tij, kjo formulë zgjidh edhe vështirësinë procedurale të propozimit të personit në fjalë, por edhe raportin ligjor të tij me detyrën që mban. Kështu, nëse kodi do të normojë mirë dhe qartë përgjegjësi juridike të forta për kryetarin – nëpunës, atëherë edhe angazhimi i tij do të disiplinohet në kuptim të zbatimit të ligjit. Nga ana tjetër, sipas Gjatës, komisionerët partiakë në të gjithë nivelet, përveç KQZ, me praninë e tyre sigurojnë monitorimin e kryetarit, pra si të thuash garantojnë prezencë politike në administrim. Ndërkohë, kolegu i Gjatës, Kristaq Kume, ka përshëndetur nismën e KQZ-së dhe OSBE-së, duke deklaruar se krijimi i një administrate zgjedhore të përhershëm është një hap që do të përmirësojë punën e komisioneve zgjedhore. “Me komisionerë të përhershëm apo administratë zgjedhore të përhershme duhet të kuptojmë jo një organ buxhetor të përhershëm, por një kontingjent njerëzor, që potencialisht do të zgjidhen nga partitë për të drejtuar punën në nivelin e dytë. Kjo është pozitive, se do t’i detyrojë partitë që pasi të sugjerojnë paraprakisht emrat për komisionerë, këta të trajnohen, të pajisen me certifikatë dhe mandej të jenë trupa e përcaktuar me ligj për të administruar zgjedhjet. Pra, nuk mund të bëhet zëvendësimi si tani”, tha Kume.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›