Hapet minisamiti ballkanik, mungojnë serbët
Presidenti i Republikës, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, do të udhëtojë sot drejt Prizrenit, ku në Prevallë, me ftesë të Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, do të zhvillojnë një takim me kryetarët e shteteve të katër vendeve fqinje: Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Ky takim është në vazhdën e takimit të Vlorës së një viti më parë. Bashkëpunimi rajonal dhe perspektiva e zhvillimit të tij në kuadër të përmbushjes së aspiratës së këtyre vendeve për integrimin në strukturat euroatlantike dhe në familjen e madhe europiane, do të jetë një ndër temat qendrore të bisedimeve mes katër presidentëve. Në përfundim të takimit mes Presidentit Topi, Presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, Presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, do të zhvillohet një konferencë e përbashkët për shtyp. Dje në mbrëmje, në Prevallë të Prizrenit ka nisur minisamiti i presidentëve të rajonit. Mysafirët e parë që kanë mbërritur janë Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Presidentët do të zhvillojnë gjatë paradites së sotme takime bilaterale, kokë më kokë, ndërsa më pas do të shkojnë për drekë në Prizren, për t’u kthyer më vonë në një takim të përbashkët në Prevallë, pas të cilit do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Presidenti malazez, Vujanoviç, do të largohet nga Kosova pas kësaj konference, ndërsa ai i Shqipërisë, Topi, dhe ai i Maqedonisë, Ivanov, do të largohen të dielën. Policia në Prizren ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë.
#