"Berisha të tregojë paratë që bleu shtëpinë"
Juristët kundër ligjit antimafia. Vishaj: Basha të tregojë një milionë euro. Hysi: Ligji rrezikon të ardhurat e emigrantëve
TIRANË- Miratimi i ligjit "antimafia" në Kuvend, vazhdon të prodhojë reagime kundërshtuese mes juristëve dhe shoqatave të drejtësisë në vend, duke shprehur shqetësimin për miratime të ligjeve antikushtetues. Pas kundërshtimeve të disa shoqatave të avokatisë në vend, ka reaguar edhe kryetari i Shoqatës së Avokatëve Penalist në Shqipëri, avokat Sajmir Vishaj. Avokat Vishaj e cilëson ligjin "antimafia" jo vetëm antikushtetues por edhe si një ligj të ndërtuar për të sulmuar opozitën në vend.
"Për mendimin tonë, ku ligj është politik, i ngritur dhe miratuar për të goditur opozitën në vend. Ne juristët e kemi shumë të lehtë të bëjmë interpretimin e këtij ligji, pasi kuptohet që nuk ka të bëjë me jurispondencen ligjore por vetëm për interesa politike për të goditur opozitën siç po ndodh kohët e fundit",- tha avokat Vishaj në emër të Shoqatës së Avokatëve Penalistë në Shqipëri. Sipas tij, miratimi i këtij ligji ka sjellë edhe reagime të ndryshme mes juristëve në vend, të cilët kanë shprehur shqetësimin për dhunimin dhe shkeljen e të drejtave themelore të njeriut me miratimin e këtij ligji.
"Ky ligj është antikushtetues, pasi nëse nuk ka një vepër penale ligji nuk mund të ushtrojë funksionet e tij. Në këtë ligj nuk është përcaktuar rrethi i personave që cenohen nga ky ligj, ndërsa çdo ligj përcakton rrethin e të dyshuarve dhe subjektet e saj. Sipas këtij ligji, nuk kemi një subjekt për tu ndjekur penalisht. Që do të thotë se vetë kryeministri Sali Berisha ka blerë një shtëpi dhe sipas këtij ligji është i pari që duhet t'i nënshtrohet ligji antimafia. Gjithashtu, edhe Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, sipas këtij ligji, do të përcaktojë se ku i gjeti një milionë eurot në momentin që u fut në Komitetin e Orientimit të Politikave (KOP). Po ashtu, siç duhet të përcaktohet se me 8 dhjetor 2009 kush i solli personat nga gjithë Shqipëria në Tiranë, me çfarë i sollën, kush i pagoi faturat e trenit, autobusit e furgonit, ku i morën lekët. Kështu që nuk përcakton subjektin e ligjit"- tha avokat Vishaj, duke shtuar se shoqata po bën gati ankimin pranë Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar këtë ligj.
Ndërkohë, edhe juristi i njohur Detar Hysi, gjatë një prononcimi për "Shekullin" e cilësoi këtë si një ligj që cenon çdo qytetar të këtij vendi, duke mos i përjashtuar këtu emigrantët e shumtë që jetojnë dhe punojnë në mënyrë ilegale jashtë territorit shqiptar. "Ky ligj është antikushtetues pasi është kundërshtuar edhe nga grupet e interesit ku prek më shumë dhe cenon edhe punën e avokatisë dhe sjell pasoja negative në punën e biznesit. Gjithashtu, aplikimi i një ligji të tillë rrezikon mjetet dhe të ardhurat e mijëra emigranteve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit, ku dihet tashmë se shumica punon në rrugë informale",- theksoi avokat Hysi. Ndërkohë, në aspektin e interpretimit juridik avokat Hysi e cilëson këtë ligj si shkelës të parimeve bazë të Kushtetutës dhe si shumë të nxituar për situatën ku ndodhet shoqëria shqiptare.
"Ky ligji deformon parimet bazë të së drejtës dhe bie ndesh me parimin Kushtetues në fushën e së drejtës. Bie ndesh me parimin mbi prezumimin e pafajësisë ku çdo shtetas shqiptar konsiderohet i pafajshëm deri në vendim të formës së prerë. Thuhet në mënyrë eksplicite në Kushtetute. Ndërsa ky ligj është e kundërta. Mendoj se për momentin ky ligj është tepër i nxituar për shkak të situatës në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare"nënvizoi avokati i njohur Detar Hysi. Gjithashtu në interpretimin e tij juristi Hysi shkon edhe përtej Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, duke e cilësuar ligjin "antimafia" si shkelës të Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Njeriut.
"Me miratimin e këtij ligji, autoritetet ligj zbatuese shkelin hapur të drejtat themelore të njeriut të parashikuar në nenin 5, 5 dhe 13 të Konventës Ndërkombëtare",-tha avokat Hysi, duke shtuar se ky ligj është shumë primitiv dhe i vjetër në kohë. "Nuk mund të aplikohet në një shtet që pretendon se është demokratik, por, vetëm në një shtet ku mbizotëron regjimi totalitar",-e mbylli fjalën e tij juristi Hysi mbi interpretimin ligjor të këtij ligji të miratuar pak ditë më parë në Kuvend.