Traktori bie nga ura, vdesin dy persona
Babë e bir po shkonin tek nusja e djalit i cili sot duhet të ishte martuar. Plagoset rëndë edhe vajza e familjes Dema
KUKËS- Bora e parë që ka përshirë të gjithë rajonin e Kukësit në lartësitë mbi 400 metër ka regjistruar viktimat e para duke shkaktuar një tragjedi të rëndë për familjen Dema në Bardhoc. Dy persona kanë vdekur si pasojë e një aksidenti me makinë duke e kthyer dasmën e familjes Dema në mort.
Të shtunën paradite, rreth orës 10:00, në aksin rrugor Kukës-Shishtavec, në vendin e quajtur Ura e Shtrezes ka ndodhur një aksident i rëndë. Një traktor me goma në të cilin udhëtonin Sadri Dema 50 vjeç, djali i tij Qemal Dema, 19 vjeç, dhe vajza Lulie Dema, 21 vjeç, ka dalë nga ura e Shtrezës duke thyer parmakët dhe ka rënë në lumë. Për pasojë kanë mbetur të vdekur në vend, drejtuesi i traktorit Sadri Dema dhe djali i tij Qemal Dema. Është plagosur rëndë vajza e tij Lulie Dema, e cila është transportuar me helikopter për në Tiranë në gjendje të rëndë për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe forcat e policisë së komisariatit të Kukësit.
Policia ka përcaktuar si shkak të aksidentit humbjen e kontrollit të drejtuesit të automjetit nga paaftesia për të drejtuar mjete të këtij lloji, apo nga mungesa e vëmendjes, pasi traktori ka pasur në kabinë persona jashtë kapacitet. Sipas policisë, pas kryerjes së ekspertizës së mjetit ka rezultuar që traktori të ketë në rregull sistemin e frenimit dhe atë të drejtimit. Ndërkohë që policia nuk përjashton mundësinë e ndonjë rrëshqitjeje të gomave të traktorit që janë pasuar me panikun e drejtuesit, ku ky i fundit mund të ketë humbur kontrollin.
Një dhimbje e thellë ka përfshirë të gjithë fshatin Bardhoc të rrethit të Kukësit. Sadri Dema të dielën më 13 dhjetor martonte djalin dhe për këtë kishte një javë që kishte hapur dasmën. Ndërkohë që nusen e djalit e merrte në fshatin Shtrezë, një fshat i thellë në komunën e Shishtavecit, rreth 40 kilometër larg nga qyteti i Kukësit. Të shtunë në mëngjes, i zoti i shtëpisë, Sadri Dema bashkë me djalin Qemalin dhe vajzën Lulien të cilën e kishte të martuar në Kosovë, janë nisur në drejtim të fshatit Shtrezë. Qëllimi i këtij udhëtimi ka qenë për të dërguar vajzën e tij Lulien me profesion parukiere për të rregulluar nusen e djalit për ditën e dasmës të dielën.
Meqenëse rruga Kukës-Shishtavec, të shtunë në mëngjes ka qenë e mbuluar nga një trashësi e vogël bore, Sadri Dema ka menduar të udhëtojë me traktorin që ia kishte siguruar miku i tij në Kosovë. Me djalin dhe vajzën në kabinë ata janë nisur në drejtim të fshatit Shtrezë, ku gjithçka kishte shkuar në rregull deri te ura e fshatit vetëm tre kilometra larg tij. Por mesi i urës ka qenë fatal për drejtuesin e mjetit dhe fëmijët e tij, ku traktori ka devijuar duke thyer parmakët dhe duke rënë disa metra poshtë në lumë.