Tri javë pushim për t’u përmirësuar

Felipe Massa e përfundoi garën për Shpërblimin e Madh të Kinës në pozitën e gjashtë fundjavën që shkoi. Piloti brazilian ndihet i kënaqur me atë që shfaqi në Shangai, por thotë se mund ta përfundonte më mirë garën.
“Kam bërë një garë të mirë, të karakterizuar me një kalim të mirë dhe me shumë duele. Rezultati final do të duhej të ishte më i mirë sesa pozita e gjashtë, por jam i kënaqur me mënyrën se si shkuan gjërat dhe shpresoj që të vazhdoj të luftoj në një nivel edhe më të lartë në farat e ardhshme”, theksoi piloti i Ferrarit.
Ai thotë se pushimi i Formula 1 prej tri javësh do t’i bëjë mirë, pasi do ta shfrytëzojë këtë periudhë për të ushtruar dhe për t’u përmirësuar për garat e radhës.
“Tash janë tri javë pushim, të gjithë ne në Ferrari duhet ta japim maksimumin për t’u përgatitur sa më mirë për garën e ardhshme ose për kualifikimet e ardhshme. Sigurisht, duhet të mundohemi të jemi më të shpejtë në kualifikime, për t’u nisur më përpara në garë. Edhe pse pole-position nuk është më shumë vendimtar, të ndihmon gjithmonë që të jesh në krye. Pushimi do na ndihmojë që të ushtrojmë dhe t’i shmangim gabimet”, vazhdoi ai.
Massa insiston se do të mbetet i koncentruar për garën e radhës në Stamboll, e cila mbahet pas tri javësh.