E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nuk vendos unë për vendimet e gjykatave”

06/05/2010 Qëndrimi i Kryeministrit

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se ai nuk mund të luajë rolin personit që mund të vendosë mbi pretendimet ligjore të opozitës, e cila pretendon hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e votave të zgjedhjeve të vitit të kaluar. “Sali Berisha është Kryeministri i vendit, nuk është as gjykatësi, as prokurori i këtij vendi. Dhe unë nuk mund të marr, nuk mund të imagjinoj të trajtoj vendime gjykatash apo të marr përsipër funksione prokurorësh”, ka deklaruar kreu i Qeverisë. Me këtë qëndrim ai ka përforcuar pozicionin e tij ndaj kërkesës së opozitës, e cila, sipas tij, duhet të përcjellë pretendimet e saj në Gjykatën Kushtetuese ose organet përgjegjëse të hetimit, siç është Prokuroria. Duke iu referuar protestës së opozitës dhe grevës së urisë, Berisha është shprehur se fakti që ato zhvillohen para ndërtesës së Kryeministrisë u bën nder të gjithë atyre që kanë si të para vlerat e lirisë. “Unë dua të garantoj çdo qytetar shqiptar se do të mund të ushtrojë në liri të plotë të drejtat e tij kushtetuese”, theksoi ai. Shefi i ekzekutivit në deklaratën e djeshme, mbajtur pas ceremonisë në varrezat “Dëshmorët e Kombit”, shprehu ndjeshmërinë për vuajtjen e deputetëve dhe qytetarëve në grevë, “vendim të cilin unë nuk do t’ua kisha këshilluar kurrë, por nuk kam alternativë tjetër përveç respektimit të tij”. Ndërkohë, para pak ditësh Berisha vlerësoi grevën e urisë së deputetëve të Partisë Socialiste si një lëvizje dëshpëruese e krysocialistit Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›