E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rebeka: “Si u shua Joti në duart e mia”

Sot është dita e Panajot Panos. Një ditë zyrtare zie për Shqipërinë, por dhe për futbollin shqiptar. Trupi i pajetë i legjendës së Partizanit dhe Kombëtares, që ndërroi jetë më 19 janar, do të mbërrijë nga Florida e Shteteve të Bashkuara në orën 10:00 në aeroportin ndërkombëtar “Nëna Tereza” për tu vendosur në “tapetin” e hollit të Pallatit të Kongreseve, ku “Futbollistit shqiptar të shekullit” dhe “Nderit të kombit” do të jepet lamtumira e fundit përpara se të prehet në banesën e përjetshme në varrezat e Sharrës.
Rebeka Pano, bashkëshortja e Panajotit, rrëfen edhe ditën e fundit të numrit 10 të Partizanit në Shtetet e Bashkuara, më 19 janar. “Kërkoi të vinte në spital një nga ne, pasi Joti nuk komunikonte anglisht. Ishte në kushte normale, pavarësisht se simptomat dukeshin. Po e kalonte me humor. Në fizionomi nuk dukej. Nuk kishte shenja që mund të tregonin se mund të vdiste. Shkova atje, pavarësisht se nuk donte t’i rrinin infermierët pranë, pasi kishte krenarinë e vet. Ngjasme, nuk jam sëmurë. Më priti mua në mëngjes që ta pastroja. U ngrit vetë me këmbët e veta. U la. Dhëmbët ja pastrova unë. U shtri në krevat, dhe i thashë ‘hajt ta ulim kokën e krevatit’. Infermierja na tha se po i rriteshin rrahjet e zëmrës. Tha se ndihej shumë mirë. U çel në fytyrë, duke mos dhënë asnjë shenjë që të nënkuptoje se do të vdiste. Mori ilaçet. Nuk pranoi që ne t’ia ulnim krevatin. Hipi në krevat, dhe aty ia dha përnjëherë ataku, më i rëndë. Dhe menjëherë u shtri. Më tha se sikur po i vinte prapë goditja. I fola dhe u përpoqa për t’i dhënë kurajë, por e pashë në moment, që ishte shumë i rëndë. Në atë moment po fliste vajza (Nertila) me djalin (Ledion). Ai e dëgjoi që po fliste me djalin. Isha me dhëndrin dhe një infermiere. E ndjeu që iu dha shtrëngimi i fort. U zgjat nja dy herë. Aty ishte dhe goditja fatale”, - tregon për “Ora Neës”, Rebeka Pano, me të cilën Panajoti ishte martuar para më shumë se 42 vjetësh.
Bashkëshortja e “Pushkashit të vogël shqiptar”, falënderoi të gjithë shqiptarët që i bën homazhe Jotit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Nuk mund të them veçse ishte një gjë e jashtëzakonshme për ne si familje. Nuk ka se si të shprehem, nuk kam se si ta tregoj atë ndjenjë, atë vlerësim që na është bërë. I falënderoj nga zemra, unë, vajza, djali dhe familja ime. Çdo kush që do të ishte në vendin tonë do të ndihej shumë krenar.
Homazhe për Panajot Panon, katër herë kampion i Shqipërisë, pesë herë fitues i Kupës së Republikës, autor i 4 golave në 24 ndeshje me Kombëtaren, autori i golit të parë të Shqipërisë në eliminatoret e Kampionatit Europian 1964, në fitoren 1-0 kundër Danimarkës, do të kryejnë figurat më të larta të vendit, përfshirë Presidentin e Republikës, Bamir Topin, kryeministrin Sali Berisha, ministra të kabinetit, njerëz të botës së sportit, tifozë por dhe njerëz të thjeshtë.

350 gola, 115 ndërkombëtarë

“Përafërsisht unë mund t’ju jap një shifër, kam shënuar gjatë gjithë karrierës sime sportive rreth 350 gola, kam bërë 115 ndeshje ndërkombëtare, 24 i kam bërë me emblemë dhe 91 i kam bërë me ekipe klubesh; miqësore, kupë kampionesh, kupë kupash, ndeshje miqësore në Kinë. Unë kam shënuar gola shumë të mirë, por kam edhe gola të humbur. Golin e parë që kam shënuar, ku kam vendosur dhe emblemën e kampionit të kategorisë së parë në Shqipëri te Partizani në vitet 1951, ku unë shënova golin e vetëm dhe u ndërpre loja e futbollit që u quajt atëherë “golden goal”. Kam një gol tjetër me emblemën e ekipit kombëtar në vitet 64 me Danimarkën, për herë të parë që merrte pjesë ekipi ynë kombëtar në eliminatoret e Kupës së Kombeve këtu në stadiumin “Qemal Stafa”.

Panajot Panoo
7 mars 1939-19 janar 2009

Tituj sportiv:
“Mjeshtër sporti”, “Mjeshtër i Merituar”, “Nder i Sportit Shqiptar”

Klubet: SK Tirana, Partizani, Dinamo

Aktivizuar: Me të rinjtë e Tiranës 1955-57, Puna e Tiranës 1957-59 (të rritur), Partizani 1960-75, Dinamo 1962 (për Kupën Ballkanike)

Trofe:

1957 - Kampion me të rinjtë e “17 Nëntorit”.

1960 - Golashënuesi më i mirë i kampionatit.

1961 - Kampion kombëtar me Partizanin, fitues i Kupës së Shqipërisë, golashënuesi më i mirë i kampionatit.

1963 - Kampion kombëtar me Partizanin, medalje argjendi në turneun e Ushtrive të Vendeve Socialiste.

1964 - Kampion kombëtar me Partizanin, fitues i Kupës së Shqipërisë.

1966 - Fitues i Kupës së Shqipërisë.

1967 - Fitues i Kupës së Shqipërisë.

1970 - Fitues i Kupës së Shqipërisë, fitues i Kupës Ballkanike midis klubeve, golashënuesi më i mirë i kampionatit.

1971 - Kampion kombëtar me Partizanin.

1973 - Fitues i Kupës së Shqipërisë.

5 herë fitues i anketës të “Sporti Shqiptar” (10 sportistët më të mirë të vitit)

2000 - Fitues i anketës “Sportisti më i mirë i shekullit”, fitues i anketës së gazetës “Sporti Shqiptar”: “11-shi më i mirë i historisë së futbollit shqiptar”, “11-shi më i mirë i 50 dhe i 55 kampionateve kombëtare”.

1979 - Kampion kombëtar, si zv/trajner me Partizanin.

1980 - Fitues i Kupës së Shqipërisë, si zv/trajner i Partizanit.

1981 - Kampion kombëtar, si zv/trajner me Partizanin.

Dekoratat:

Urdhri i Artë “Mjeshtër i Madh”, Urdhër Pune i klasit 2, Urdhri “Naim Frashëri i klasit 3,2,1″, Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, medalja “Urdhëri i Meritës” për 100-vjetorin e FIFA-s.

I zgjedhur:

Më 1999 president nderi i Partizanit, më 2002 president nderi i FSHF-së.

Policia, klubeve: “Mos nxisni incidentet!”

Policia e shtetit paralajmëroi masat të rrepta ndaj të gjithë atyre që do të tentojnë të shkelin rregullat gjatë zhvillimit të ndeshjeve të futbollit, duke garantuar mbarëvajtjen e aktiviteteve sportive e futbollistike të kampionatit kombëtar të gjitha niveleve, duke hartuar për ketë qellim plane te detajuara masash, me detyra konkrete për çdo strukture e punonjës policie te angazhuar. Në një komunikatë të posaçme për mediat, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, pranoi se me gjithë masat e mara nga policia e shtetit, në disa ndeshje futbolli, të zhvilluara ne stadiumet e qyteteve Tirane e Vlore, janë shfaqur ngjarje të dhunshme ndaj sportistëve, gjyqtarëve dhe anëtarëve të tjerë të federatës apo të klubeve. Sipas “bluve” të rendit, nga analiza e zhvilluar ne lidhje me këto fenomene te dhunës ne sport, është konstatuar se, në të gjitha rastet cenimet e rendit publik në këto aktivitete sportive, veç të tjerave kane ardhur si rezultat edhe i përfshirjes ne këto incidente, te drejtuesve te klubeve sportive, te personave te zgjedhur ne organet e pushtetit vendor, te presidentëve te klubeve te futbollit dhe te disa prej futbollisteve, por dhe mos përmbushjes se standardeve dhe kushteve teknike, te miratuara nga UEFA dhe FSHF, ne lidhje me infrastrukturën e objekteve sportive, infrastrukture e cila ndihmon ne rritjen e masave te sigurisë.

28 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›