Numërimi elektorinik, LSI: Nuk ka kohë për ta përgatitur

Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se mbështet vendimet e komisionit të reformës zgjedhore për numërimin elektronik por e cilëson si të pamjaftueshëm kohën për ta përgatitur këtë proces. Në një konferencë për shtyp, Ylli Manjani ka deklaruar se nëse procesi i zgjedhjeve nuk përgatitet siç kërkohet nga partitë politike zgjedhjet mund të dështojnë.
“LSI-ja mbështet pa asnjë ekivok të gjithë vendimet e marra nga komisioni I reformës zgjedhore në mënyrë konsensuale. Ne besojmë se konsensusi është mënyra më e mirë për të përmirësuar klimën mes partive. LSI-ja ka mbështetur idenë për numërimin elektronik në zgjedhjet e ardhshme, me besimin që kjo zgjidhje do ta përmirësoj klimën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare por njëkohëshisht jemi skeptimik për zbatimin e këtij procesi” theksoi Manjani.
Sipas Manjanit ky process nuk mund të përgatitet për 14 muaj, kur pritet të zhvillohen edhe zgjedhjet parlamentare pasi kërkon më parë të tentohet dhe të bëhet një studim.
“Duhet të bëhet një studim sesa kushton ky process, si do të përdoret, ku do të përdoret. Është fjalë që të ndërtohet një grup njerëzish për përdorimin e këtyre aparaturave, për të ndërtuar një sistem. Këto janë procese teknike që kërkojnë kohë dhe kjo kohë është e pamjaftueshme” theksoi Manjani.
Gjithashtu Manjani ka theksuar se LSI-ja I ka paraqitur komisionit të reformës zgjedhore dy propozime ku e para ka të bëjë me numërimin pilot të votave dhe e dyta me shtimin e KZAZ-ve.
“I kemi kërkuar komisionit të reformës zgjedhore të përdoret në mënyrë pilot procedura e numërit të votove pasi futja e një risie teknologjike kërkon test dhe më pas të zhvillohet në zgjedhjet e mëtjeshme. E dyta është shtimi i numrit të KZAZ-ve.Me këto masa teknike zgjidhet edhe problemi i numërimit të votave duke e bërë në mënyrë më të shpejtë dhe mbrohet procesi i ardhshëm zgjedhor” shtoi Manjani.