Patozi: PD, shqyrtim kërkesave të ligjshme të PS-së
PD-ja është e gatshme të negociojë me opozitën me qëllim hyrjen e saj në Parlament, por me kushtin e vetëm që shqyrtimi i kërkesave të PS-së të bëhet brenda kuadrit ligjor. PD-ja përmes Astrit Patozit ftoi dje ftoi opozitën të bëhet pjesë e debatit të sotëm në Kuvend për ndryshimet në buxhetin e shtetit për vitin 2009. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së u bën thirrje kolegëve të partisë opozitare të zënë vendet në Parlament, pasi Parlamenti është institucioni ku zhvillohet debati politik.
“Ne garantojmë Partinë Socialiste se ftesa jonë për rikthimin e tyre në Parlament është shumë e sinqertë dhe serioze. Ne e duam opozitën në Parlament për të zhvilluar një debat normal politik në aulën e institucionit më të rëndësishëm të shtetit”, - deklaroi z. Patozi. “Ne, - shtoi ai, - duam opozitën në Kuvend për të vijuar pa u ndalur reformat e mëdha integruese, për të cilat vendi ka nevojë jetike. Por, - vijoi Patozi, - mbi të gjitha ne duam që bashkë me opozitën të shqyrtojmë dhe trajtojmë me shumë seriozitet të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e raportit të OSBE-ODIHR-it”. Sipas kreut të deputetëve të PD-së, kjo ka qenë një praktikë që është aplikuar me shumë sukses në legjislaturën e kaluar, kur ne miratuam ndryshimet kushtetuese dhe Kodin Elektoral, që na çoi drejt zgjedhjeve të 28 qershorit. “Por ndërkohë, ky bashkëpunim është tashmë një traditë e konsoliduar prej vitesh në politikën shqiptare. Nga ana tjetër, ne jemi plotësisht të gatshëm dhe të hapur për të shqyrtuar të gjitha pretendimet dhe kërkesat e tjera të PS-së, me kushtin e vetëm, që ato të jenë në respekt dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit" , - theksoi kryetari i grupit parlamentar të PD-së. Patozi i solli ndërmend PS-së së Edi Ramës se diskutimi për buxhetin e shtetit është një nga ato rastet që konsiderohen të arta për opozitën, sepse një opozitë mezi pret që të thotë fjalën e vet. Sidomos, argumentoi Patozi, kur diskutohet qeveria dhe buxheti i shtetit, për të shprehur ato kontestime dhe ato rezerva që mund të ketë në përgjithësi për ekzekutivin apo mazhorancën e caktuar.