“Numërimi i votave të kontestuara ishte proces transparent, u lexua drejt vullneti i qytetarëve”

Flet përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike pranë Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Njazi Kosovrasti
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Njazi Kosovrasti, deklaron se tashmë Partia Socialiste ka të drejtë që ta ankimojë vendimin e kryesimit të Bashës, vetëm në Kolegjin Zgjedhor.
Duke folur për vendimin e KZAZ-së së madhe të Tiranës, Kosovrasti tha se është zbatuar ligji si dhe e drejta kushtetuese e qytetarëve për të lexuar drejt votën e tyre, pavarësisht kutisë ku është hedhur. Në rastin konkret çështjen e përbëjnë fletët e votave të kontestuara. Një numër i konsiderueshëm votash për kryetarin e bashkisë së Tiranës u gjetën në kutitë e këshillave dhe kryetarëve të minibashkive. Pas numërimit të votave të kontestuara dhe shqyrtimit të ankimimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të shpallë vendimin përfundimtar që nxjerr kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha me 81 vota më tepër se kandidati tjetër, Edi Rama.
Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, Njazi Kosovrasti tha se tashmë Partia Socialiste ka të drejtë që ta ankimojë këtë vendim vetëm në Kolegjin Zgjedhor. E sipas tij, vendimet që merr ky i fundit, janë të paapelueshme.
“Procesi i numërimit të votave të kontestuara ka qenë mjaft transparent”, tha më tej Kosovrasti.