E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ padit 4 numërues në Belsh

03-06-2011 / Gazeta 55

Falsifikuan tabelën e rezultateve

KQZ do të ngre një padi, në Prokurori kundër katër numëruesve të kutisë 25/63, për Këshill Bashkiak, të Belshit, pasi ata kanë falsifikuar tabelën e grupit të numërimit. Ky vendim erdhi pas kërkesës ankimore të ngritur nga partia Bashkimi Demokrat, ku kjo parti kishte marrë zero vota. Pas rinumërimit rezultoi se kjo forcë politike kishte 128 vota, Partia Socialiste 54 nga 150 vota dhe Partia Demokratike 33 vota nga 96 vota. KQZ miratoi ribërjen e tabelës dhe reflektimin e ndryshimit në tabelën e rezultatit.
Më herët, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë mandatet për disa këshilltarë të Bashkive dhe komunave. Koalicioni “Aleanca për të Ardhmen”, ka marrë 7 mandate dhe “Aleanca për të Qytetarin” 10, në Bashkinë e Fierit. “Aleanca për të ardhmen”, 19 mandate, dhe “Aleanca për qytetarin”, 16-të.
Po ashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka rrëzuar të dyja kërkesat e Partisë Socialiste lidhur me tabelën e rezultateve përmbledhëse të Tiranës dhe atë të KZAZ nr. 49. Pas votimit, kryetari i këtij komisioni Arben Ristani deklaroi se rrëzimi i këtyre kërkesave vjen pasi këto rezultate janë vlerësuar njëherë nga ky komision dhe për rrjedhojë nuk kanë marrë as kuorumin e duhur të votave.
Kërkesat e PS-së morën në favor vetëm 2 vota ato të përfaqësuesve të saj dhe 4 vota kundër ato të komisionerëve të djathtë. Po kështu ndodhi edhe për kërkesën e Partisë Demokratike e cila u rrëzua për të njëjtën arsye, ku pas rivlerësimit të fletëve të kontestuara në 26 kuti, PD ka kërkuar rivlerësimin e fletëve për të 117 qendrat e votimit me arsyetimin se ato mund të jenë vlerësuar gabim nga KZAZ-të. Kjo kërkesë ka marrë në favor të saj vetëm katër votat e anëtarëve të mazhorancës të komisionit. Rrëzimi i tyre erdhi pasi, vendimmarrja e këtij komisioni lidhur me këto ankimime kërkonte jo më shumicë të thjeshtë votash, por shumicë të cilësuar, pra pesë vota pro, nga shtatë anëtarët e KQZ-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›