KQZ: Lulzim Basha fitues i Tiranës me 81 vota

Lihet në fuqi vendimin e 23 majit, rrëzohen kërkesat e PD-së dhe PS-së
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka lënë në 81 diferencën e votave mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës për bashkinë e Tiranës. Rezultati i 26-ve të cilat u rinumëruan rishtaz në në KQZ dhe ngushtuan diferencën me 3 vota, nuk arritën të siguronin kuorumin e nevojshëm për t’u përshirë në tabelën përfundimtare të kryeqytetit.
“Për këto 26 kuti duhet ndryshuar tabela përmbledhëse duke u reflektuar këto kuti në tabelë. Propozoj ta pranojmë pjesërisht dhe të reflektojmë vetëm ndryshimet sipas 26 kutive që kemi vlerësuar. 4 kundër 2 rrëzohet kërkesa e PD-së sepse nuk merr kuorumin e nevojshëm të votave”, u shpreh kryetari i KQZ-së, Arben Ristani.
Përfshirja e votave të 26 kutive në tabelën përfundimtare të rezultatit, ishte një pjesë e ankimimit të PD-së e cila kërkonte gjithashtu rihapjen e 117 kutive të rinumëruara pak javë më parë në ambientet e Komisionit Qendror dhe që i dhanë fitoren Bashës. Po ashtu kartonët rrëzuan dhe 2 kërkesat e socialistëve, një për pavlefshmërinë e tabelës së KZAZ-së 49 dhe një për tërë tabelën e Tiranës.
“Dolën fletë votimi që nuk ishin numëruar që ndryshonin tabelën përfundimtare të KZAZ-49 dhe ka vendim që tabela përfundimtare ka ndryshuar. Nëse e pranojmë këtë kërkesë, kundërshtojmë vetveten”, deklaroi Ristani.
Vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor vjen 1 ditë para atij të Kolegjit për ligjshmërinë ose jo të vendimit Ristani, për të rinumëruar votat e hedhura gabimisht.
Kërkesat e PD dhe PS,
KQZ s’arrin kuorumin
Në vijim të mbledhjes dhe të punës së tij Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka rrëzuar të dyja kërkesat e Partisë Socialiste lidhur me tabelën e rezultateve përmbledhëse të Tiranës dhe atë të KZAZ nr. 49.
Pas votimit, kryetari i këtij komisioni Arben Ristani deklaroi se rrëzimi i këtyre kërkesave vjen pasi këto rezultate janë vlerësuar njëherë nga ky komision dhe për rrjedhojë nuk kanë marrë as kuorumin e duhur të votave.
Kërkesat e PS-së morën në favor vetëm 2 vota ato të përfaqësuesve të saj dhe 4 vota kundër ato të komisionerëve të djathtë.
I njëjti fat ishte edhe për kërkesën e Partisë Demokratike e cila u rrëzua për të njëjtën arsye, ku pas rivlerësimit të fletëve të kontestuara në 26 kuti, PD ka kërkuar rivlerësimin e fletëve për të 117 qendrat e votimit me arsyetimin se ato mund të jenë vlerësuar gabim nga KZAZ-të. Kjo kërkesë ka marrë në favor të saj vetëm katër votat e anëtarëve të mazhorancës të komisionit.
Rrëzimi i tyre erdhi pasi, vendimmarrja e këtij komisioni lidhur me këto ankimime kërkonte jo më shumicë të thjeshtë votash, por shumicë të cilësuar, pra pesë vota pro, nga shtatë anëtarët e KQZ-së.