Olldashi: Gara brenda “shtëpisë”, reale dhe një proces vlerash
Kandidati për kreun e PD, takime me Forumin Rinor dhe Grupseksionet në Tiranë
Sokol Olldashi deklaroi se Partia Demokratike, si formacioni më i madh politik i së djathtës në vend, tashmë po kthen në standard edhe garën brenda “shtëpisë”. Kandidati për postin e Kryetarit të Partisë Demokratike theksoi se kjo garë, e para në këtë format është një proces dinjitoz vlerash që po krijon edhe një traditë. “Kjo është një garë reale, po është një garë që zhvillohet brenda nesh, një garë brenda shtëpie. Është një garë vlerash mes dy njerëzve që janë pjesë e qenësishme e Partisë Demokratike. Secili me kontributin, profilin dhe me eksperiencën e tij. Ju ftoj të gjithëve të merrni pjesë, t’i jepni seriozitet dhe dinjitet këtij procesi. Është një garë që në mënyrën sesi po zhvillohet, është e para në Partinë Demokratike dhe do të konsolidojë edhe një shtrat për proceset zgjedhore që do të zhvillohen në të ardhmen”- tha ai. Këto deklarata, kandidati për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi i bëri gjatë takimeve me strukturat e Grupseksioneve 8, 9 dhe 10 në Tiranë. Ndërkohë në një tjetër bashkëbisedim me anëtarë dhe drejtues të Partisë Demokratike të njësive 3 dhe 4 po në Tiranë, Sokol Olldashi ritheksoi modifikimin e lidhjes mes nivelit politik dhe qelizës bazë të partisë, militantit.
Me demokratët e Njësisë Nr. 2 në Kryeqytet, Olldashi foli për platformën e tij për të rikthyer Partinë Demokratike në shumicë politike, në përballjen e parë elektorale.
“Nëse ne duhet të bëjmë një betejë të fortë, nëse ne duam të bëjmë një betejë politike të suksesshme për të rikthyer Partinë Demokratike në shumicë, ne duhet të ndajmë fushën politike. Duhet t’ua bëjmë të qartë shqiptarëve se politika në këtë vend nuk ka më tre pole: ka mazhorancën e tyre dhe opozitën tonë. Nuk ka më lojtar mesi!”