Pse PS frikësohet nga kutitë e Lezhës?
Socialistëve s’u besohet se mund të zbardhet skema e përdorur për kthimin e rezultatit në Qarkun e Lezhës. Ata do të donin që gjithçka të mbetej tek 10 kutitë e para, por indiciet e tyre çuan KQZ-në në një hetim gjithëpërfshirës. Kaq ka mjaftuar që PS-në ta zërë paniku e nga thirrja “hap kutitë” të bërtasë “mos i hapni kutitë, se do digjet vendi”. Procesi ende po konfirmon rezultatet e grupeve të numërimit, por frika e Edi Ramës të çon tek zbardhja e tregut të votave, si sekreti i fitores majtiste të 23 qershorit
Partia Socialiste ka angazhuar të gjithë revanshin e saj kundër një vendimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për rivlerësimin dhe rinumërimin e votave në qarkun e Lezhës. Për ditë me radhë përfaqësues të PS dalin në media dhe kërcënojnë, me një frymë ekstremiste, katër anëtarët e mbetur të KQZ-së. Përtej çdo trajtimi juridik dhe hapësire për diskutim, ekstremistët e PS, lëshojnë ultimatume të denja për diktaturat ushtarake, duke i thënë katër anëtarëve të KQZ se, “me ju do merremi pak më vonë”. Format e shëmtuara të reagimeve kundër katër njerëzve të cilët panë me sytë e tyre manipulimin absurd të 10 kutive të votimit në Lezhë, të cilat më pas i bënë transparente edhe për opinionin publik, tregojnë panikun e kreut të PS dhe njerëzve të tij, si kryemanipulatorët e 23 qershorit. I gjithë shqetësimi është që të mos dalë në shesh e vërteta e kutive të Lezhës, pazaret që janë luajtur me votën e shqiptarëve. Edhe pse gjithkush ka sot një konceptim të qartë se si është orientuar manipulimi i 23 qershorit, format që janë përdorur për t’ia arritur këtij qëllimi dhe konkluzioni, ai më i vlefshmi, përcjellja e rezultatit në tabelë sipas interesit matematikor që i jepte PS-së avantazhin ndaj PD-së, sërish Edi Rama dhe njerëzit e tij bëjnë “viktimën”. Vjedhja e votave është në sytë e të gjithëve. Në ato 10 qendra votimit të KZAZ-së Nr.13 ishte demonstruar në mënyrë spektakolare vjedhja ditën për diell, deformimi i vullnetit real të votuesve. Pikërisht, këtu merr rrjedhë edhe shqetësimi real i Partisë Socialiste. Fenomeni i KZAZ-së Nr.13, në ndërgjegjen e zyrtarëve të lartë socialistë, deputetë, kandidatë për deputetë apo edhe të vetë kreut të PS, është se batërdia nuk është bërë vetëm në ato 10 qendra votimi, por në të gjithë qarkun. Gjithë ai shqetësim i shprehur me kërcënime të ashpra ndaj trupës së KQZ, s’ka si shpjegohet tjetër. Partia Socialiste ka demonstruar gjithashtu edhe një kontradiktë në krahasim me katër vjet më parë, me objekt të njëjtën çështje, hapjen e kutive. Në 2009-ën kërkoi me këmbëngulje hapjen e kutive edhe pse nuk kishte as edhe një indice të vetme të provuar në dokumentacion, që mund të ngrinte dyshime për manipulim të zgjedhjeve. Në kërkim të asgjëje organizoi protesta, demonstrata, greva urie dhe s’pranoi të njohë qeverinë e dalë nga 28 qershori i 2009-ës, për më shumë se dy vjet. Sot, jemi përpara faktit të kryer. Jemi përpara një manipulimi të frikshëm. Kuptohet që rrethanat kanë qenë të tilla falë presionit fizik apo edhe financiar. Në të dyja rastet, janë organet kompetente ato që duhet të hetojnë çështjen dhe t’i shkojnë deri në fund hetimit të Lezhës. Edi Rama s’duhet të ketë frikë nga kjo. Koalicioni i tij ka fituar zgjedhjet dhe si i tillë s’duhet të trembet nga rinumërimi në një qark të vetëm zgjedhor. Nëse shqetësimi i tij është se humbet një apo dy mandate në qarkun e Lezhës, sërish kjo nuk ia heq shanset që ai të qeverisë pas shtatorit. Një apo dy mandate që mund të rikuperojë e djathta nga ky manipulim i zbardhur deri më tani, janë asgjë përballë mbi 80 mandateve të mazhorancës së re. Por, shqetësimi i tij nuk është ai mandat i humbur në Lezhë. Lepuri fle diku tjetër... Fuqia e tmerrshme financiare që ka vepruar në të gjithë vendin gjatë dhe pas 23 qershorit, po nis të japë efektet e para të zbehjes përballë fuqisë së të vërtetës. Edi Rama, si organizator i manipulimit dhe i bandave që trafikuan votat në këmbim të shumave të majme, bën mirë të heshtë dhe t’i lerë institucionet përgjegjëse të bëjnë punën e tyre.
Ai do të qeverisë po me ato vota të blera, por manipulimin s’do ia falë kush. Dhe përderisa manipulimi është shkelje ligjore, njerëzit e tij dhe jo vetëm, duhet të përballen me drejtësinë.