Atë Lombardi: Udhëtimi Apostolik i Papës në Rio de Zhanejro shtegtim shumë domethënës
Udhëtimi Apostolik i Papës Françeskut në Rio de Zhanjero është një shtegtim shumë domethënës në Kontinentin e tij, me një program ngarkuar me ngjarje, ndërmjet të cilave, vizita në një favelë, mbrëmësorja e lutjes me të rinjtë dhe Mesha Shenjte për DBR-së. Kështu e përshkroi drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, programin e shtegtimit apostolik të Papës në Rio-de-Zhanéjro të Brazilit, nga 22 deri më 29 korrik, me rastin e Ditës së 28-të Botërore të Rinisë. Komiteti organizator i DBR-së në Brazil njofton se 70% e shpenzimit të përgjithshëm, prej rreth 120 milion eurosh, do të sigurohet nga kontributet e vetë shtegtarëve. Veprimtaritë që lidhen me ngjarjen e madhe rinore, shpjegojnë organizatorët, kanë siguruar rreth 20 mijë vende pune e, sipas përllogaritjeve, Brazili në përgjithësi e metropoli i madh karioka, në veçanti, do të kenë mjaft përfitim ekonomik. Për këtë atmosferë, të krijuar në prag të arritjes së Papës, flet imzot Joao Karlos Petrini, ipeshkëv i Kamaçarit, në shetin e Salvator di Bahia.
Nesër Papa do të jetë shtegtar në udhët, që lidhin dy kontinetet e mëdha. Shtegtimi i parë ndërkombëtar do të nisë në shenjtëroren e Zojës së Aparesidës, pajtore e Brazilit. Një DBR-së, pra, që do të nisë me një shtegtim marian të Papës, që do të gjunjëzohet tek këmbët e Zojës së zeshkët. Kryeipeshkvi i qytetit, kardinali Raimundo Damasheno, thotë se kjo do të jetë “Festa e fesë”. Atë Lombardi kujtoi edhe se ideja për organizimin e Ditëve Botërore të Rinisë është e Gjon Palit II, prandaj nuk mund të mendohet për ditë rinore, pa praninë e Papës: është element themelor në këtë takim madhor.
DBR-së - entuziazmi i të rinjve, tashmë në Rio/Tashmë kanë arritur në Brazil shumë të rinj, të ardhur nga mbarë bota për të marrë pjesë në DBR-së, që do të nisë zyrtarisht të martën e ardhshme. Papa do të jetë në qytetin karioka të hënën pasdite. Festa e mikpritjes të të rinjve do të kremtohet të enjten mbrëma në bregdetin e Kopakabanës. Ndërmjet tyre, edhe grupi përfaqësues i të rinjve shqiptarë, prej 12 vetësh. Ja deklaratat e disa të rinjve, nga Brazili, në mikrofonin e Radio Vatikanit: “Pyetje: Pas pak do të arrijë edhe Papa Françesku: si po i jetoni këto çaste? I jetojmë me gëzim të pamasë, sepse dëshirojmë ta njohim Papën e ri, që është me të rinjtë e për të rinjtë. Prej këndej ‘Rroftë Papa!”. Mezi presim ta takojmë. Pyetje: - Ç’emocione ju ngjall prania në Rio? - Është pjesa tjetër e botës! Emocion, që ta ngjall menjëherë pamja e hartës. Të kujton se je në anën tjetër të botës, larg, tepër, nga vendi yt. Pyetje: - Ty, ç’të shtyu të vish këtu? Sigurisht figura e jashtëzakonshme e Papës. Jemi këtu kryesisht për të dhënë dëshminë e fesë sonë, në një çast takimi kaq të madh. E jemi për t’u shtrënguar rreth një Bariu të madh, Papës Françesku, e të japim dëshmi edhe për shokët tanë universitarë, që ta shikojnë konkretisht sa gjë e bukur është ta jetosh jetën e mirë të Ungjillit.