Nunci apostolik në Itali: Papa nuk udhëhiqet nga sondazhet
Papa dhe Kisha nuk ndikohen e aq më pak udhëhiqen nga sondazhet. Kisha, kujtoi Ati i Shenjtë pak ditë më parë, nuk është shoqatë e njerëzve të përsosur. Pikërisht këtë e nënvizoi kryeipeshkvi, imzot Fulvio Bernardini, nunc apostolik në Itali e në San Marino, në homelinë e Meshës, kremtuar në festën e pajtorëve, Shenjtorëve Ermakora e Fortunato nga Akuilea. “Kisha lufton kundër mëkatit, por nuk mund ta zhdukë atë. Kisha i fal ata që i pranojnë fajet, por mëson edhe se duhet të pendohen e të marrin një ndëshkim të drejtë, në përkim me mëkatin e kryer. S’ka falje, pa pendim, as zgjidhje, pa shlyer mëkatin e kryer.
Kisha i kumton njerëzimit se, përveç drejtësisë njerëzore, ka edhe një drejtësi tjetër, më e larta, drejtësia hyjnore, drejtësi absolute, falje e dënim. Kisha mëson të vërtetën e fesë, sipas së cilës ekziston një dënim i pambaruar, për të cilin shpesh nuk kemi guximin as të flasim. Bota moderne është gati të falë gjithkënd, gjithçka. Kërkon edhe që Kisha ta kumtojë të ngjallurit prej të vdekurve në një mënyrë që dëshiron fundin e të gjithave, faljen e të gjithëve! Realitete kaq të ndryshme, nënvizoi imzot Bernardini, që nuk mund të mos i kundërvihen njëri-tjetrit. Prej këndej, radhët e martirëve, në luftë të përhershme kundër mëkatit, shtohen nga breznia në brezni, me besimin e patundur se, në fund të fundit, forcat e së keqes nuk do të mund të fitojnë mbi ato të së mirës.
Papa punon për librin e ri kushtuar Jezusit: reflektimet për Familjen Shenjte/Benedikti XVI vijon, në Kastel Gandolfo, impenjimet e tij baritore: përgatitet për shtegtimin në Liban dhe për takimet e tjera, të parashikuara, sidomos për hapjen e Vitit të Fesë, tetorin e ardhshëm. Por gjen kohë edhe për të shtuar faqe të reja në vëllimin III të veprës ‘Jezusi i Nazaretit’, kushtuar Ungjijve të fëmijërisë. Njoftimin e dha zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi gjatë një takimi të shkurtër me gazetarët.
Sipas Atë Lombardit, ka shumë mundësi që Papa të shkruajë edhe një letër drejtuar ipeshkvijve të botës, lidhur me çështjen e Lefebvrianëve, gjë që e bëri edhe pas heqjes së shkishërimit, si shprehje e mbarështimit shpirtëror të kësaj ngjarjeje me shumë rëndësi për unitetin e Kishës. Në se do ta bëjë përsëri, do të jetë për të gjithë një sinjal shpirtëror orientimi. E kemi parë se është tejet i aftë për ta bërë një gjë të tillë”, përfundon atë Lombardi. Por të rikthehemi tek libri i ri i Papës, duke rikujtuar disa reflektime të Benediktit XVI gjatë viteve të fundit, kushtuar fëmijërisë së Jezusit e, sidomos, edukimit të tij për t’u lutur në gjirin e Familjes së Nazaretit. Familja është shkolla e parë e lutjes, pohon Benedikti XVI në audiencën e fundme të vitit 2011, kushtuar Familjes Shenjte të Nazaretit dhe lidhjes së saj të ngushtë me lutjen. Në këtë shkollë, Maria e Jozefi qenë mësuesit e lutjes për Birin e Zotit. Mister, ky, që bëhet edhe më i thellë, për shkak se Ungjijtë flasin shumë pak për miturinë e Krishtit. Benedikti XVI po gërmon pikërisht në rrëfimet ungjillore, që flasin për Familjen e fëmijërisë dhe të rinisë së Jezusit, ikonë e Kishës shtëpiake për të gjitha familjet e sotme të krishtera:
“Jozefi e kreu plotësisht rolin e tij atëror, në të gjitha drejtimet. E mësoi Jezusin si të lutej, së bashku me Marinë. Sipas traditës hebraike, ai i printe lutjes shtëpiake, si në të përditshmen e saj, mëngjes, mbrëmje e në sofër, ashtu edhe në festat kryesore fetare. Kështu, në ritmin e ditëve, kaluar në Nazaret, ndërmjet shtëpisë së thjeshtë e punishtes së Jozefit, Jezusi mësoi t’i këmbejë lutjen e punën e t’ia ofrojë Zotit edhe djersën e derdhur për të fituar bukën e përditshme, të nevojshme për të mbajtur gjallë familjen (Audienca e përgjithshme, 28 dhjetor 2011). E sipas shembullit të Familjes së Nazaretit, Papa i nxit të gjitha familjet të bëhen Kisha shtëpiake, shkollat e para të lutjes.
Një episod tjetër, që përshkuan Papa, është ai i Paraqitjes së Krishtit në Tempull. Maria e Jozefi e çojnë Fëmijën në Jeruzalem. Si të gjitha familjet hebreje, që i binden Ligjit, kujton Papa, prindërit shkojnë në Tempull për t’ia kushtuar Zotit djalin e tyre të parëlindur e për t’i falur flije. Flijim i thjeshtë i familjeve të varfëra: vetëm dy pëllumba!
Dihet se familja hebreje, ashtu si familja e krishterë, lutet brenda mureve të shtëpisë, por edhe në gjirin e bashkësisë. Ungjilli i Shën Lukës na tregon se prindërit e Jezusit shkonin vit për vit në Jeruzalem. Kështu edhe kur Jezusi mbushi 12 vjeç, sipas zakonit, u ngjitën në Jeruzalem për festën e Pashkëve. Në këtë fragment ungjillor tregohet se Jezusi mbeti në Tempull pa dijeninë e prindërve, të cilët e gjetën aty vetëm pas tri ditësh, në mes të dijetarëve, duke i pyetur e duke u dhënë përgjigje. Përmes kujtimit të këtij episodi të njohur, Benedikti XVI shpjegon lidhjen e Jezusit të ri me lutjen në Tempullin e Jeruzalemit, duke u marrë, siç do t’u thoshte prindërve, “me punët e Atit të tij”. Shqiptonte, kështu, pikërisht këtë fjalë: Atë! Me vetëdijen e plotë të Birit të vetëm. E ky është kyçi, që hap misterin e lutjes së krishterë: “Ta pyesim veten: nga kush e mësoi Jezusi dashurinë për gjërat e Atit të tij? Sigurisht, si bir, e njihte mirë Atin, kishte lidhje të ngushtë personale e të përhershme me Të. Por, në kulturën e tij konkrete, natyrisht i mësoi nga prindërit e tij lutjet, dashurinë për Tempullin dhe Institucionet e Izraelit. Prandaj mund të pohojmë se vendimi i Jezusit për të ndenjur në Tempull, ishte, mbi të gjitha, fryt i lidhjes së Tij të ngushtë me Atin, por edhe fryt i edukatës që mori nga Maria e Jozefi”( Lutja e Engjëllit të Tënzot, 27 dhjetor 2009).
Jezusi na mëson, kështu, si të jemi bij, pikërisht në lidhjen me Atin në lutje. Misteri kristologjik, misteri i jetës së krishterë, lidhet ngushtë me lutjen e bazohet mbi të. Jezusi do t’i mësonte një ditë dishepujt e tij të luteshin, duke u thënë atyre: kur të luteni, thoni “Atë”. E, natyrisht, mos e thoni këtë vetëm me fjalë, por me gjithë vetveten, me gjithë jetën tuaj. Mësoni gjithnjë më shumë të thoni “Atë”; me jetën tuaj; e kështu do të jeni bij në Birin, të krishterë të vërtetë.
Kështu, në reflektimet e Papës theksohet përsëri me forcë rëndësia e edukimit për t’u lutur e për të thelluar gjithnjë më shumë lidhjet me Atin qiellor: “Që asokohe, mund ta përfytyrojmë, lutja zuri një vend edhe më të rëndësishëm, sepse nga zemra e Krishtit fëmijë, adoleshent e pastaj i ri, do të përhapej e do të rrezatonte në zemrën e Marisë e të Jozefit kjo ndjesi e thellë e lidhjes me Hyjin Atë”( Audienca e përgjithshme, 28 dhjetor 2011).
Kështu Maria u bë model i lutjes për gjithë të krishterët: Maria është modeli i pakapërcyeshëm i kundrimit të Krishtit. Fytyra e Birit i përket në mënyrë krejt të veçantë, sepse ai u formua në prehërin e saj, duke i ngjarë pikërisht asaj, si njeri. Askush nuk iu kushtua me aq zell kundrimit të Jezusit, sa Maria.
Marrë nga Radio Vatikani