E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuri Seferi, “Tajsoni shqiptar” shpreson te fitojë me kroatin Puljak

EKSKLUZIVE Shkup- Boksieri shqiptar nga fshati Koritë i Gostivarit, Nuri Seferi të shtunën në palestrën sportive "St. Jakobs" në Bazel të Zvicrës do të përballet me kroatin Sinisha Puljak. Kjo ndeshje do të jetë paraluftë i duelit Valuev-Mcline, ndërsa enkas për këtë duel Seferi ka zhvilluar përgatitje disa ditore në Berlin (Gjermani). "Jam i kënaqur nga përgatitjet që i kam bërë. Poashtu edhe trajnerët e mi Sefer Seferi (vëllau i Nuriut) dhe trajnerët gjerman kanë mbetur të kënaqur me stërvitjet e mia. Dhe tani po pres në qetësi mecin me kroatin, të cilin shpresoj se do ta fitoj", thotë ekskluzivisht për gazetën "Koha", Nuri Seferi, duke shtuar se nuk i frikësohet aspak kundërshtarit të tij kroat. "Edhe pse është një boksier cilësor, unë nuk kam frikë, por vetëm e respektoj atë. Me ndihmën e zotit shpresoj të shënoj fitore duke i gëzuar të gjithë tifozët e mi", tha i ashtuquajturi "Tajsoni shqiptar", Nuri Seferi. Ai gjithashtu tha se me 16 shkurt planifikon të zhvillojë një luftë të re me një boksier rus. "Nëse nuk do të lëndohem do të zhvilloj edhe një mec të ri. Në Gjenevë të Zvicrës do të takohem me një rus, emri i të cilit ende nuk dihet. Por përballja me kroatin për mua është me rëndësi të madhe, pasi në rast fitoreje do të kem mundësi të luftojë për titull kampioni evropian në kategorinë deri më 93 kg. (kruizer) me boksierin Marko Huk", përfundoi Nuri Seferi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›