E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boban Jançevski kthehet te Bashkimi

Nga Rijad MURATI
Kumanovë - Të premten nga ora 13 në stadiumin e Bashkimit në Kumanovë, stafi teknik në krye me Hysni Maxhunin bënë grumbullimin e parë të lojtarëve. Kështu fillon faza e parë përgatitore për stinorin pranveror, e cila do të zhvillohet në Kumanovë. Me këtë rast do të testohen edhe tre lojtarë nga Serbia, me të cilët Bashkimi planifikon të përforcojë radhët e veta. Gjithashtu në seancën e parë përgatitore pritet të paraqiten edhe dy futbollistët kosovarë Mervan Hoxha (25) dhe Liridon Kukaj(21), futbollistë të repartit të mbrojtjes, të cilët sic mësojmë këto ditë kanë nënshkruar për klubin kumanovarë. Ndihmëstrajneri i Bashkimit, Erkan Jusufi thotë se gjithcka është gati për të filluar faza e parë e përgatitjeve. "Me stërvitje Bashkimi do të fillojë të premten ora 13-të, ndërsa lojtarët do të stërviten nga një herë në ditë. Presim që në seancën e parë stërvitore të paraqiten të gjithë lojtarët. Gjithashtu pritet ardhja e dy futbollistëve nga Kosova, Liridon Kukaj (21) dhe Mervan Hoxha (25). Në skuadër është kthyer edhe golashënuesi më i mirë i Ligës, Boban Jancevski. Ai ishte në biseda me disa skuadra jashtë vendit, por duket se nuk ka mundur të kryejë ndonjë angazhim dhe do të jetë pjesë e Bashkimit edhe në të ardhmen", thotë ai. Përgatitjet në stadiumin e Bashkimit do të zhvillohen deri në fund të janarit, ndërsa fazën e dytë "zigjelbërit" do ta zhvillojë në qendrën turistike "Banjat e Negorit". "Më 5 shkurt do të udhëtojmë për ‘Banjat e Negorit', ku do të zhvillojmë fazën e dytë përgatitore. Atje do të qëndrojnë 12 ditë, kurse planifikojmë të luajmë edhe takime kontrolluese me skuadra të atjeshme", përfundoi ndihmëstrajneri i Bashkimit nga Kumanova, Erkan Jusuf.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›