E Diel, 1 Nëntor 2026

Nurja ne Korce Procesi i rregjistrimit te popullsise vijon normalisht

Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, është shprehur sot nga Korça, se "procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave vijon normalisht dhe qytetarët i janë përgjigjur të gjitha pyetjeve të bëra nga intervistuesit".

Nga 1 tetori, procesi i regjistrimit në qytetin e Korçës ka vijuar normalisht, me përjashtim të rasteve sporadike, kur përgjithësisht qytetarët nuk kanë qenë të mirëinformuar se si duhej t’i përgjigjeshin pyetësorit të censusit.
Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, tha se "nuk kemi patur asnjë problem edhe nga ana e minoritetit maqedonas, nuk ka patur asnjë lloj refuzimi".
Nurja ka sqaruar qytetarët korçarë se "dy pyetjet e fundit, që kanë të bëjmë me grupin etnokulturor dhe me grupin e fesë, bëjnë pjesë në përgjigjen e lirë të qytetarëve. Njerëzit janë të lirë të vetëdeklarohen për çfarë ndjejne vetë ata, kurse anketuesi nuk ka të drejtë të dyshojë te vetëdeklaruesi".

Drejtoresha e INSTAT ka sqaruar gjithashtu se në pyetësorin e censusit nuk pyetet për kombësinë, por për grupet etnokulturore, që është një koncept tjetër, i ndryshëm nga kombësia, pasi kombësia është një e dhënë legale. Ajo tha se pas grumbullimit të të dhënave do të fillojë verifikimi, i cili është një proces i gjatë, por që edhe pas verifikimit, nuk do të ketë probleme
Sipas saj, censusi nuk nxjerr të dhëna individuale, por të dhëna statistikore të grupuara, të cilat nuk do të pasqyrohen në regjistrat e gjendjes civile.
Nurja u ka kërkuar qytetarëve korçarë të jenë bashkëpunues me anketuesit dhe t’u hapin dyert vetëm atyre personave që janë të pajisur me kartën e identifikimit nga INSTAT, pasi është anketuesi ai që përgjigjet për çdo të dhënë që merr nga familja.

"Anketuesi gjithashtu nuk ka të drejtë të japë asnjë të dhënë asnjë personi tjetër, pra të dhënat ruhen dhe mbrohen me ligj. Ato janë të dhëna konfidenciale. Në rast se do të ketë refuzime atëherë do të ketë penalizime, por nuk besoj se do të ndodhë kështu", tha Nurja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›