E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuset & vjehrrat - Marrëdhënia tragjike mes dy grave

 

-Ç’është kjo papastërti? –Sadija hapi derën e apartamentit dhe ndjeu gjakun t’i hipte në kokë. E tmerrshme, vinte era peshk. Dhe plaka s’mund ta duronte dot. Për më tepër, peshkun e kish blerë Majlinda dhe do ta përgatiste për drekë. Ja një arsye e fortë që peshku dhe era e tij të shndërrohen në një shkak serioz për një sherr edhe më serioz. Përfundimisht, nuse dhe vjehërr përfunduan në dyert e gjykatës.
-...Ajo mu kthye me të shara, me fyerje, me kërcënime... më rrahu... –thotë vjehrra para gjykatësve. Nuk duron më, për më tepër që ajo, s’kish bërë asgjë, veçse shumë qetësisht, pasi pat hyrë në shtëpi, kish thënë: ç’është kjo papastërti! Tashmë Sadija, e lodhur nga konflikti i gjatë, dëshiron që situata të zgjidhet. Sigurisht mendon se zgjidhja e vetme s’ka se si të jetë veçse në favor të saj. Është e bindur, ka të drejtë.
-Jo... unë nuk e kam rrahur.- Eshtë radha e Majlindës për të folur.- Grindjet midis nesh vijnë për shkak të sipërfaqes së vogël në të cilën jetojmë.- është e bindur nusja e paditur.- Unë gatuaj në banjë, atë ditë kisha blerë peshk dhe do ta gatuaja por ajo filloi të më bërtiste dhe shante. Unë s’i kam kthyer përgjigje- thotë, e bindur që të gjithë do ta besojnë se, rëndom, i kalon lehtësisht komentet e “patëkeq” të plakës, nënë e burrit të saj.
Gjërat mund të merren me mend, por gjykatësi ka nevojë për akoma më shumë informacione. I duhen dëshmi, i duhen dëshmitarë.
-Atë ditë kam dëgjuar fyerje dhe sharje nga më të ndryshmet por s’është e vërtetë se unë e kam sharë dhe fyer gjyshen- Marsela, së paku pranon grindjen mes nënës dhe gjyshes së saj. Ama plaka, kur ka rrëfyer të vërtetën e saj, s’ka harruar të thotë se e kanë sharë dhe fyer edhe mbesat...
-E di që janë konfliktuar por unë s’kam qenë në shtëpi- thotë Luani, mashkulli i familjes, djali i Sadijes, burri i Majlindës dhe babai i Marselës. Pozicioni tipik i burrit-djalë, që pothuaj kurrë nuk di çfarë duhet të thotë në një konflikt mes të shoqes dhe të së ëmës. E tani? Ç’duhet bërë?
Është historia e një konflikti të vjetër sa bota, e një paaftësie për marrëveshje mes vjehrrës dhe nuses. Ca më keq akoma në rastin e Sadijes dhe Majlindës, hapësira në të cilën jetojnë plot 5 vetë, është tmerrësisht e vogël. Vetëm një dhomë e kuzhinë. Në dhomë jeton burri, gruaja, vajzat. Në kuzhinë, jeton vjehrra. Por mesa duket kjo ndarje fizike e hapësirës nuk ka qenë zgjidhje. E si mund të jetë tek e fundit. Ngushtësia të trysnon. Megjithatë gjykatës i duhet të japë një vendim. Dhe e jep në favor të vjehrrës, të cilën e merr nën mbrojte: “Të ndalohet Luani dhe familjarët e tij (që do të thotë nusja dhe vajzat) në hyjnë në kuzhinë (atë pjesë të shtëpisë që i takon Sadijes)”. E sigurisht urdhërohen që të mos e fyejnë, kërcënojnë, shajnë, cenojnë fizikisht plakën e gjorë... Eshtë 78 vjeç.
...Por pse nuk gjejnë një shtëpi të tyren djali, nusja me fëmijët e vet? Fundja shmangja e bashkëjetesës së palumtur mund të shmangte konfliktin. (a thua!?) Por, ndoshta nuk munden, ndoshta s’e blejnë dot një apartament vetëm për vete, ka të ngjarë që nuk përballojnë dot as edhe një qira modeste. Sakaq, me historinë e tyre janë dy pika uji në oqeanin e madh. Madje, edhe në sallën përtej, kanë të ngjashmit e vet. Pas murit, ku një tjetër trup gjykues merr në konsideratë një tjetër rast, të një tjetër konflikti të zmadhuar tashmë por që në gjenezë të vet, s’duhet të ketë qenë asgjë tjetër veçse i lashti konflikt nuse-vjehërr.
* * *
Ja kështu, edhe Menduia dhe Aida urrehen për vdekje.
-Gjithmonë e kishte zakon, për një gjë të vogël më gjuante... ka dorë... Ankohet e para për të dytën.
-S’është e vërtetë.- Mbrohet e dyta.
-Më kërcënon se do të më hedhë në gropë të gëlqeres, se do të më fusë në burg.- kërcënimet të bëjnë të qeshësh por Menduia ankohet se i vuan prej vitesh. Madje ka edhe më: nusja ia paskësh hedhur të gjitha poshtë: plaçkat, enët e kuzhinës... të gjitha, në kosh. Mundet që ia ka hedhur për ti zëvendësuar me të reja. Ama Menduia thotë thjesht se ia ka hedhur. Sa për abazhurin, deklaron se ia ka hequr asaj e ia ka dhënë të ëmës... Ky po, është mëkat. Epo, çdo gjë, mund të ndodhë. Jemi në një konflikt nuse- vjehrrë.
-Më vjen në dyqan, më ofendon... thotë se unë e bëj tapë burrin tim dhe shkoj me shokët e burrit... -Aaaaa, këtu puna shkon shumë thellë. Gjithsesi çfarë i intereson Menduies është që nusja ti lëshojë dhomën, që ta lërë të qetë të jetojë në apartamentin e saj. Ku ta dish mbase problemi zgjidhet me kaq. Hë për hë gjykata e merr në mbrojte plakën duke urdhëruar të renë të mos e kërcënojë, shajë, cenojë... dhe të mos ketë asnjë kontakt me vjehrrën e saj.
* * *
Nuk janë rrëfime të trilluara. Janë dy prej historive të vërteta që kanë përfunduar në gjykatën e Tiranës vetëm muajin e shkuar. Dikush mund ti konceptojë të sipërpërmendurat si përfaqësuese të një kategorie të ulët shoqërore, pa kulturë dhe arsimim. Dhe kjo është e vërtetë, ama pjesërisht. Sepse ndërsa Menduia është me 4 klasë shkollë, Aida, një biznesmene e vogël, e ka kryer të mesmen ekonomike dhe vazhdon studimet për juridik. Por cilatdo qofshin protagonistet në konfliktin nuse –vjehërr, pavarësisht kulturës së tyre apo arsimimit, pavarësisht kategorisë sociale që i përkasin apo familjeve prej nga rrjedhin, problemi është, në mos përballë, diku aty rrotull. Sepse, siç thonë gjithnjë psikologët, në këto përballje shfaqet instinkti, humbet logjika, zhvlerësohet niveli kulturor. Por shpesh del si shpëtimtare vetëdija. Kjo e bën konfliktin, diku të fjetur në pritje për tu zgjuar, diku tjetër, për fat të mirë, për të mos u zgjuar asnjëherë.
* * *
Ama problemi është...
Edhe nëse nusja e vjehrra nuk shkojnë në gjykatë, nëse çështjen e tyre nuk e marrin në shqyrtim gjykatësit apo nuk angazhohen një tabor me avokatë, problemi s’mund të mos jetë. Studimet e psikologëve e vërtetojnë këtë. Madje, më konkretisht thuhet se diku nga mes i shekullit të shkuar, (epo fundja atëherë filluan të bëheshin studimet) vetëm një grua në katër e pëlqente vjehrrën e vet. Kurse sot marrëdhënia e vështirë është përkeqësuar edhe më. Nuset anohen për momente të palumtura stresi dhe pakënaqësish për shkak të marrëdhënieve të tensionuara me vjehrrat. Vjehrrat qahen se përjashtohen nga jeta e djemve të tyre me të ardhur nuset... eh kjo është thembra e Akilit. Dhe çudi: këto nëna ende pa u bërë vjehrra, i përgjërohen djemve që të mos e shtyjnë me tej martesën... pastaj... pakënaqësia zë pakënaqësinë, dhe raporti mesa saj dhe nuses hyn në një tunel të errët... s’ka gjë se rastet kur duhet një palë e tretë të zgjidhë konfliktin, janë ende të rralla.
* * *
Por, problemi nuk është te dy gra në luftë tragjike me njëra – tjetrën. Problemi është gjetiu. Sepse kjo luftë mund të dëmtojë familjen, mund të prishë raportet mes burrit e gruas, e pastaj, rrugëtimi drejt gjykatës do të jetë për të zgjidhur një martesë, e jo për të marrë nën mbrojtje një nuse a një vjehërr të dhunuar. Një psikologe në Gjykatën e Tiranës, ka jo pak rraste që vërtetojnë rrezikun e prishjes së familjes pikërisht nga një vjehrrë. “Ndodh shpesh që shkak për ndarjen e një çifti të jetë vjehrra”. E kjo provohet lehtë, duket në regjistra gjykatash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›