E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuset e mitura të Kosovës!

PRISHTINE - Tradita e martesave të hershme tek komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas, (RAE) nuk ka pësuar ndryshime. Vajzat e tyre ende martohen të mitura si nënat dhe gjyshet. Kur fëmijët lindin fëmijë, sfidat janë të mëdha.

Edhe pse sapo kanë kaluar të 40-tat, Gezimi dhe Sulltanja egjiptas, kanë 25 vjet martesë dhe pesë fëmijë. Katër prej tyre i kanë martuar në moshën 15-16 vjeçare ndërsa tashmë janë gjyshër të 7 nipave dhe mbesave. Edhe ata u fejuan sapo morën në dorë Abetaren. Bashkë me shkronjat e para mësuan se të tjerët kishin marrë për ta vendimin më të rëndësishëm në jetë.

“Jam feju 7 vjeç, kur s´kam dit as çka asht fejesa. Disa shokë bajshin hajgare me mu dhe pse isha i fejuar me shihnin ndryshe. Pasi mbusha 15 vjet jam martu me dasëm e me flamur kombtar shqiptar, siç e kemi tradite. E sot i falënderoj prindërit e mi që m´kanë taku me nje familje dhe vajze të ndershme të cilën e kam edhe sot dhe i kam me te 5 fëmijë”, thotë Gëzim Pallulli.

Bashkëshortja e Gëzimit, Sulltanja rrëfen po ashtu të njëjtën histori. Martesa nuk e la gjatë luante me moshataret: “M´kanë feju 7 vjet e m´kanë martu me 15 vjet. E re, por...atëherë o konë zakon ku t´jep baba dhe na t´ pëlqeu e s´të pëlqeu, asht dashtë me e marr. Mua Gëzimi më pëlqente, por...Nuk t´rrej! Ditën e parë-nuse u pata mërzit shumë se erdha prej qyteti n´katund e mendojsha: “Khu, qysh me ik e me shku n´shpi?!”Mandej u msova e s´më dukej kund më mirë. Shtatzanë fill jam mbet. Me 16 vjet ma ka fal Zoti djalin. I kemi pesë fëmijë, tri çika e një djalë i kemi martu. Tash i kam 41 vjet dhe jam gjyshe e katër nipave e tri mbesave”.

Tradita e martesave të hershme dhe të komunitetit RAE, bën që të zvogëlohet mundësia e shkollimit dhe edukimit të mirëfilltë të brezave të rinj. Ndërsa arsyet për lidhje martesash mbesin të njëjta, si dikur.

Edhe familja e Gëzimit është ndër ato familje, të cilat janë mbajtur fort pas traditës, duke i martuar fëmijët, ashtu si vepruan paraardhësit nëpër breza; prej 15 deri në 17 vjet. “Unë i kam ruajt traditat dhe s´kam pas qejf me m´shku rrugëve t´kqija. Si e kanë kry shkollën i kam çu te burrat e vet. Asnjërin nuk e kam martu pa pyet. Të tria i kam në tri shtete t´Evropës dhe të gjitha e kanë jetën ma t´mirë se te unë”, arsyetohet Gëzimi.

E njëjta ndodhi edhe me Binakun, djalin e vetëm të kësaj familjeje, i cili u martua në moshen 16-të vjeçare, me nusen një vit më të re, me të cilën ka dy fëmijë. Por kjo familje tradicionale egjiptase ka vendosur të nisë një udhë të re. Edona 13 vjeçare ka forcën për të sfiduar fatin dhe guximin për një jetë më ndryshe dhe të ardhme më të mirë. Ajo mendon se duke ruajtur vlerat tradicionale mund të përqafohen ato bashkëkohore. “Nuk martohem herët në asnjë mënyre. Në pajtim me prindërit do të vazhdoj shkollimin. Martesa, pas diplomimit ne fakultet. Kismet!”

Martesa, si një vendim i rëndësishëm në jetë, në familjet RAE nuk ka pësuar ndryshime me kalimin e kohës dhe vajzat martohen –të mitura, si nënat dhe gjyshet e tyre. Dhe kur fëmija lind fëmijë, sfidat, të cilat do t´i përcjellin gjithë jetën janë të vetëkuptueshme, thotë për Deutsche Wellen-n, sociologja Vaxhide Sopjani, e cila është autore e një hulumtimi në bashkëpunim me organizatën “Save the Children”.
“Gjatë hulumtimi ne kemi has edhe nuse 12-13 vjeçare dhe rrallëherë mbi moshën 18-të. Në këtë moshë vajza e mitur vihet në pozitë shumë të rëndë, e papërgatitur për sfidat e bashkëshortësisë e sidomos të shtatzënisë dhe edukimit të fëmijëve, e cila është në shpërputhje të ashpër me aftësitë psikofizike të vajzave të këtij komuniteti.

Pikërisht këtu fëmijët lindin fëmijë të cilët s´janë në gjendje t´i edukojnë ashtu si duhet. Prandaj edhe kemi raste të shpeshta të kërkesës së ndihmës mjekësore, qoftë në psikiatri apo probleme gjenekologjike”, thotë z.Sopjani,

(er.nu/Deutsche Welle/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›