Zhdukja, ish-drejtori i “Darfo”, mesazh vëllait
Etleva Delia
Eduart Belegu, ish-drejtori i “Darfo”, i cili është denoncuar i zhdukur që prej ditës së mërkurë të javës së kaluar, pak momente para se të mbyllte celularin e tij, i ka dërguar një mesazh vëllait të tij. Burime të policisë, thanë se Eduart Belegu, ka lajmëruar vëllain me këtë mesazh se “po largohej për disa ditë”. Burime nga grupi hetimor i ngritur në Policinë e Tiranës për këtë ngjarje, thanë se nëpërmjet mesazhit në fjalë Eduart Belegu, i ka kërkuar të vëllait që të mos e kërkonin. Vëllai i ish-këshilltarit të ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti, ka deklaruar në polici, se pasditen e të mërkurës, Eduart Belegu i ka dërguar një “sms”, në të cilin shkruhej se po largohej për disa ditë dhe të mos e kërkonin. Pasi ka marrë mesazhin, vëllai ka tentuar të lidhet me Eduart Belegun në telefon, por që prej atij momenti celulari i tij rezultonte vazhdimisht i fikur. Në bazë të deklaratave të bashkëshortes, familjarëve dhe miqve të Eduart Belegut, policia ka hedhur dyshime se ai mund të jetë larguar nga shtëpia pa pasur ndonjë konflikt të mundshëm. Këto dyshime janë ngritur pasi të afërmit dhe miqtë kanë deklaruar në polici, se ish-drejtori i “Darfo” ishte larguar edhe herë të tjera në këtë mënyrë, pa lajmëruar njeri, por ishte kthyer sërish brenda pak ditëve. “Në të tilla raste ai largohej për punë pune jashtë shtetit, kryesisht në Itali, por kjo nuk zgjaste më shumë se tri ditë”, thotë policia, duke iu referuar thënieve të dëshmitarëve të marrë në pyetje lidhur me ngjarjen. Denoncimi për “zhdukjen” e kësaj here është bërë pikërisht për faktin se kanë kaluar disa ditë më shumë dhe Eduart Belegu ka humbur kontaktet me familjen. Për këtë arsye policia po kryen hetime intensive, duke mos përjashtuar edhe pista të tjera hetimore.
ZHDUKJA
Eduart Belegu, ish-këshilltar i ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti, prej 5 ditësh rezulton i zhdukur ndërsa familjarët e tij kanë denoncuar se nuk kanë pasur asnjë kontakt me të. Ata kanë denoncuar ngjarjen në Policinë e Tiranës, e cila ka nisur menjëherë hetimet, në disa pista të mundshme lidhur me ngjarjen. Administratori i kompanisë koncesionare, “Darfo”, në Elbasan, i cili u arrestua për “vjedhje me atë të shfrytëzimit të detyrës”, në nëntor të vitit të kaluar, është larguar nga shtëpia e tij në zonën e ish-Bllokut dhe nuk është kthyer më që prej javës së shkuar. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se Eduart Belegu ka humbur kontaktet me familjen prej pasdites së mërkurë, javën e kaluar. Dy ditë para se të zhdukej, ai ishte paraqitur pranë Policisë Gjyqësore, ashtu siç kishte dhënë vendimin Gjykata e Lartë, më datë 10 shkurt të këtij viti, kur ndryshoi për të masën e sigurisë, nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”. Si pasojë e këtij vendimi, Eduart Belegu duhej të paraqitej pranë Policisë Gjyqësore, çdo të hënë, një herë në javë”. Ngjarja është denoncuar nga bashkëshortja e Eduart Belegut e cila u paraqit në polici dhe njoftoi humbjen e bashkëshortit të saj.
Belegu, i lirë nga Gjykata e Lartë
TIRANE - Eduart Belegu, ish-drejtori i kompanisë koncesionare “Darfo”, u arrestua më 16 nëntor të vitit 2009 në Elbasan për “vjedhje me anë të shfrytëzimit të detyrës”. Bashkë me të u arrestuan edhe Artur Belegu, Tonin Gjonaj dhe Fatos Pengu. Sipas prokurorisë 4 të arrestuarit i kishin shkaktuar shtetit një dëm në shumën prej 6.5 milionë euro gjatë periudhës 2004-2007, kohë në të cilën kanë marrë me koncesion Uzinën e Ferrokromit në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit. Por më 10 shkurt të këtij viti, Gjykata e Lartë, pas ankimit të Eduart Belegut, vendosi ta lironte atë nga masa e sigurisë “arrest me burg”, duke vendosur masën “detyrim paraqitjeje në Policinë Gjyqësore çdo të hënë”.