E Diel, 1 Nëntor 2026

Nusja rreh me dru vjehrrën, kunati hakmerret ndaj saj

Gazeta Shqip

Bulqizë

Konflikti në familje ka ndodhur në një fshat të Bulqizës, ndërkohë që policia shoqëroi dy dhunuesit

Dhuna në familje - Policia tha se ka proceduar penalisht të dy dhunuesit, ndërkohë që 68-vjeçarja ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Bulqizës

policia diberSherri mes vjehrrës dhe nuses ka degjeneruar në dhunë fizike, ku e reja ka bërë për spital të moshuarën, ndërkohë që pas kësaj në konflikt është përfshirë edhe kunati i agresores. Ky i fundit, kur ka parë nënën të dhunuar, i janë errësuar sytë dhe ka rrahur nusen e vëllait, ndërkohë që fqinjët kanë njoftuar policinë, e cila ka shoqëruar dy dhunuesit, kurse kryefamiljarja 68-vjeçare, e dhunuar nga nusja, është dërguar në spital. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Strikçan të Komunës Zerqan, në Rrethin e Bulqizës. Nga burimet pranë Policisë së Bulqizës mësohet se në orët e mesditës, File dhe Feride Koçi, vjehërr e nuse, kanë nisur një sherr mes tyre për punët e shtëpisë, ndërkohë që nuk ishte hera e parë që ato kishin konflikt. Por këtë herë debati ka shkuar deri në dhunë fizike, pasi nusja ka marrë një dru dhe ka rrahur vjehrrën e saj, duke e plagosur rëndë. Sapo nusja kishte rrahur me mjete të forta vjehrrën e saj 68-vjeçare, ku burri i saj, njëkohësisht djali i të dëmtuarës, nuk ndodhej në shtëpi, aty ka mbërritur djali tjetër i të moshuarës. Sipas të dhënave nga policia, njëri nga djemtë e Files, Hajriu, pasi përballet me aktin e rëndë, nuk është përmbajtur, por ka filluar të dhunojë kunatën në shenjë hakmarrjeje për nënën e tij. Burime nga policia lokale e Bulqizës bëjnë me dije se në këto kushte, fqinjët kanë njoftuar sallën operative. Sapo janë informuar për ngjarjen e rëndë, uniformat blu kanë shkuar në fshatin Strikçan, ku kanë shoqëruar për në ambientet e komisariatit të policisë, Hajri dhe Feride Koçin, për ti marrë në pyetje për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë. Ndërsa 68-vjeçarja File Koçi është dërguar në Spitalin e Bulqizës, për të marrë mjekimin e duhur për plagët që i kishte shkaktuar nusja, duke e goditur atë me dru. Nusja ka pretenduar në polici se dhunën ndaj vjehrrës e ka ushtruar, pasi ajo e ka goditur e para dhe e ka bërë për vetëmbrojtje. Deklaratë mbrojtëse ka bërë edhe Hajriu, i cili ka deklaruar se e kishte dhunuar kunatën, pasi ishte nxehur kur kishte parë nënën e dhunuar. Në këto kushte, policia ka administruar deklaratat e të dy dhunuesve dhe ka vendosur që ata të ndiqen penalisht për dhunë në familje dhe plagosje, ndërkohë që mjekim i është ofruar edhe nuses së familjes Koçi, pasi kishte disa shenja dhune.

H. Likdisha

Nusja rreh me dru vjehrrën, kunati hakmerret ndaj saj burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›