E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxënësit shqiptarë nën “mëshirën” e ministrit Todorov

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Nikolla Todorov sot ka paralajmëruar një takim me prindërit e nxënësve shqiptarë, ku do të diskutohet çështja e pranimit ose jo të gjithë nxënësve shqiptarë që kanë kandiduar në shkollën e mesme të mjekësisë. Prindërit shqiptarë kërkojnë që të gjithë 270 nxënësit që kanë konkurruar në shkollën e mesme të mjekësisë duhet të regjistrohen, ndërsa Ministria e Arsimit ka caktuar vetëm vende të lira për 170 nxënës, duke përjashtuar zgjerimin e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe.

Ndërkohë, këshilli i prindërve shqiptarë kanë theksuar se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre që të bëhet pranimi i të gjithë nxënësve dhe të përjashtohet kjo formë e diskriminimit të nxënësve shqiptarë, sidomos pas aplikimit të sistemit të shkollimit të mesëm të detyrueshëm. Këshilli i Prindërve ka bërë thirrje që të gjithë kandidatët sërish të dorëzojnë sot nga ora 10 dokumentet për regjistrim pranë shkollës së mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov”, me qëllim që sërish të shifet se sa është numri i tyre, që duan të vijojnë mësimin në këtë shkollë.

Përfaqësuesi i këshillit të prindërve, Enver Miftari ka theksuar se në rast se nuk do të plotësohen kërkesat e tyre , ata do të vazhdojnë protestat, deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Edhe ministri i ri i arsimit, Nikolla Todorov ka refuzuar regjistrimin e të gjithë konkurrentëve shqiptarë në këtë shkollë. (INA)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›