Nxehen grupet në Ligën e Kampionëve

Edhe pse duket në rrugë të mirë për të luftuar për titullin e parë në Angli nga 1968, sezoni i parë i pjesëmarrjes së Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve mund të përfundojë në rast të humbjes nga Napoli të martën.
I përkrahur nga Sheiku Mansour Mansour bin Zayed al Nahyan, City ka bërë shpenzime marramendëse nga ardhja e tij më 2008 dhe ndërtoi një skuadër yjesh, që është aktualisht kryesuese në Premierligë, por përballet me luftë të ashpër për t’u kualifikuar në fazën eliminuese të Ligës së Kampionëve.
Napoli, skuadra e mesfushorit shqiptar Blerim Xhemajli, është jashtëzakonisht i fuqishëm në shtëpi dhe synon që me fitore ndaj Cityt të ngjitet në pozitën e dytë, që siguron kualifikimin e mëtutjeshëm, duke llogaritur se në takimin e fundit përballet me Villarrealin (tashmë të eliminuar), ndërsa City pret liderin e grupit A, Bayern Munich. Derisa Napoli dhe City zhvillojnë ndeshjen që mund të përcaktojë fatin e tyre, gjiganti bavarez, Bayern pret Villarrealin ku edhe me barazim do të sigurojë kualifikimin.
Në Grupin B, Inter synon të festojë kalimin në fazën e dytë të garës në udhëtim te Trabzonspor. Nerazzurrëve u mjafton edhe një pikë nga kjo përballje për të siguruar kualifikimin.
Në ndeshjen tjetër, CSKA Moska pret Lillen. Në Grupin C, kampioni i Premierligës, Manchester United dhe skuadra portugeze Benfica janë favoritë për kualifikim. Djajtë e Kuq kanë 8 pikë, po aq sa edhe Benfica, derisa përballen në Old Trafford. Baseli i treshes kosovare Xherdan Shaqiri, Granit dhe Taulant Xhaka është mysafir i Otelul Galatit, ku me fitore synon të mbajë gjallë shpresat për kualifikim. Skuadra zvicerane gjendet në kuotën e pesë pikëve.
Në Grupin D, Real Madridi tashmë i kualifikuar pret Dinamo Zagrebin e sulmuesit kosovar Fatos Beqiraj, që është ende pa pikë. Lyon dhe Ajax do të ndeshen në Gerland, ku vendasit me fitore do të barazoheshin me pikë me holandezët që kanë tubuar 7 pikë. Por, Ajax do të siguronte kualifikimin edhe me barazim.
Grupi A
Bayern M-Villarreal 20:45
Napoli-Man City 20:45
Grupi B
CSKA-Lille 18:00
Trabzonspor-Inter 20:45
Grupi C
Man Utd-Benfica 20:45
Otelul Galati-Basel 20:45
Grupi D
Lyon-Ajax 20:45
Real Madrid-Dinamo 20:45