E Shtunë, 31 Tetor 2026

Racizmi godet futbollin

Retë e zeza të racizmit duket se zvarriten si hije mbi futbollin evropian këtë vit. Si asnjëherë më parë, incidente të shumta kanë ndodhur në fushë dhe tribuna në nivelin e klubeve dhe atë ndërkombëtar. Në incidente përfshihen emra të njohur, që konsiderohen yje të futbollit të sotëm.

Incidenti më i ri, ku ishin përfshirë kapitenin e Chelseas dhe të Anglisë, John Terry dhe mbrojtësin e Queens Park Rangers, Anton Ferdinand, është aktualisht në qendër të vëmendjes të çështjes së racizmit në futboll.

Por, nuk është i vetmi. London Metropolitan Police ka nisur hetimet rreth rastit që ndodhi më 23 tetor, që erdhi pas akuzave të mbrojtësit të Manchester Unitedit, Patrice Evra se ishte fyer në baza racore nga sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez gjatë përballjes së skuadrave të tyre në Premierligë.

Këto dy incidente janë vetëm disa prej rasteve më të reja këtë vit që ka ngritur çështjen e racës në qendër të vëmendjes së futbollit në nivelin e klubeve dhe atë ndërkombëtar. Në 11 muajt e deritashëm të vitit 2011 ka pasur shumë raste të karakterizuara nga diskriminimi racor.

Ish fituesi i Kampionatit botëror, mbrojtësi i mirënjohur brazilian, Roberto Carlos u largua nga fusha gjatë takimit të skuadrës së tij ruse Anzhi Makhachkala kundër Krylya Sovetov në qershor, pasi një banane ishte hedhur në drejtim të tij në çastet përfundimtare të ndeshjes.

Në një tjetër rast, Federata e Futbollit e Malajzisë i kërkoi falje Chelseas në korrik, kur mesfushori izraelit Yossi Benayoun ishte në qendër të thirrjeve raciste gjatë një ndeshjeje përgatitore.

Përkushtimi i organeve vendimmarrëse për të luftuar racizmin në futboll është vënë në dyshime të reja, pas vendimit të UEFA-s të gjobisë Federatën bullgare të Futbollit me 40 mijë euro për fyerjet e tifozëve të tyre ndaj futbollistëve të Anglisë gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2012 në shtator në Sofje.

Komisioni Disiplinor i UEFA-s kishte fuqinë të urdhëronte Bullgarinë të luante ndeshje prapa dyerve të mbyllura, por vendosi vetëm për gjobë. Vendimi i UEFA-s erdhi në ditën kur presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, kërkoi falje për sugjerimin e tij që racizmi në fushë nuk paraqet problem dhe se duhet të zgjidhet me shtrëngim duarsh.

Gjatë fitores 3-0 të Anglisë në Bullgari, seksione të tifozëve vendas bënë brohoritje të majmunëve në drejtim të mesfushorit Ashley Young, por edhe te Ashley Cole e Theo Walcott.

Një incident tjetër, që vlen të përmendet, përfshin klubin skocez Rangers, që u gjobit me afro 60 mijë euro dhe tifozët e tij u dënuan për një ndeshje evropiane në udhëtim pas brohoritjeve racore në ndeshjen si mysafir te PSV Eindhoven në Europa League në prill.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›