E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxehet gara zgjedhore në Spanjë

Dy rivalët për postin e kryeministrit në Spanjë kanë mbajtur debatin e tyre direkt në televizion, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme.

Papunësia e lartë dhe ekonomia e dobët ishin temat që dominuan përballjen mes socialistit, Alfredo Perez Rubalcaba dhe kundërshtarit të tij, Mariano Rajoy.

Sondazhet sugjerojnë se partia socialiste PSOE do të pësojë një humbje të fuqishme përballë opozitës së qendrës së djathtë, Partia Popullore.

Zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 20 nëntor. Vëzhguesit besojnë se PSOE do të ndëshkohet për keqqeverisjen e Spanjës në krizën më të keqe ekonomike në dekada.

Kuota e papunësisë ndodhet pranë 22 për qindshit, më shumë se dyfishi i mesatares së Bashkimit Evropian dhe ka shenja se vendi po kthehet mbrapsht në recesion.

Rubalcaba përdori debatin për të akuzuar Rajoyin se ka pasur plane sekrete për shkurtime masive dhe privatizime, të cilat nuk po ia tregonte elektoratit.

“Nëse u tregoni njerëzve planet që keni ndërmend, as anëtarët e partisë tuaj nuk do të votojnë për ju”, deklaroi Rubalcaba.

Por Rajoy, 56 vjeç, e ka kaluar debatin duke përmendur disa ide, të dhëna statistikore dhe duke premtuar ndryshimin.

“Çështja kyçe në këto zgjedhje është nëse ne do të vazhdojmë me të njëjtat politika, apo do t’i menaxhojmë gjërat ndryshe. Unë mendoj se Spanja ka nevojë urgjente për ndryshim”, tha ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›