Thaçi: Roli i SHBA-ve është dhe mbetet i rëndësishëm për Kosovën

Kryeministri Thaçi ka prezantuar përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fuqizimin e qeverisjes së mirë, transparente, efektive, me theks të veçantë përkushtimet për implementimin e reformave në ekonomi.
Po ashtu, shefi i ekzekutivit ka paraqitur edhe angazhimet për reforma në politikë dhe legjislacion, zbatimin e vizionit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, luftën e pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve dhe fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit.
Zyra për informim e Qeverisë përmes një komunikate bëri të ditur se kryeministri Thaçi ka theksuar se tri vite pas shpalljes së pavarësisë, Republika e Kosovës është dëshmuar si faktor paqeje, stabiliteti, bashkëpunimi, zhvillimi dhe integrimi.
“Në këtë storie suksesi, roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është dhe do të mbetet përherë rol jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm”, citohet të ketë thënë Thaçi.
Në takimin me kongresistët amerikanë, kryeministri Thaçi shprehu vizionin dhe hapat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për krijimin e një ambienti sa më të favorshëm për investimet ekonomike ndërkombëtare në Kosovë.
“Implementimi i vizionit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik do t’i hap rrugë rritjes së investimeve ndërkombëtare në Kosovës, me theks të veçantë investimeve amerikane, dhe rrjedhimisht do të ndikojë në mënyrë përmbajtësore në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në mirëqenien sociale të qytetarëve të Kosovës”, theksoi Thaçi.
Kurse në emër të delegacionit të kongresistëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dan Burton, pasi shprehu falënderimet e tij dhe të anëtarëve të delegacionit, për pritjen e përzemërt nga ana e kryeministrit Thaçi, theksoi se bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës do të fuqizohet edhe më tej, në funksion të avancimit të proceseve pozitive për të tashmen dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës.