Të hapur për hetime
Qeveria e Kosovës është e gatshme të bashkëpunojë me task forcën e Bashkimit Evropian, për hetimin e akuzave të senatorit zviceran, Dick Marty, rreth trafikimit të organeve njerëzore në Kosovë.
“Qeveria e Kosovës do t’i japë mbështetje të plotë task forcës, në mënyrë që të ndriçohet e vërteta për pretendimet e Dick Martyt”, ka thënë për Balkan Insight, këshilltari i kryeministrit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku.
Sipas tij, hetimet do të ndihmojnë që të zbardhet e vërteta dhe të marrin fund të gjitha akuzat. Për Çollakun, është e parëndësishme se sa persona do ta përbëjnë task forcën dhe ku do ta ketë bazën ajo. “Kjo është jorelevante për ne. Gjëja më e rëndësishme është të zbulohet e vërteta”, ka theksuar ai.
Ndërkohë, ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku është shprehur se raporti i Martyt është produkt me tendenca të qarta politike, por se në këtë rast, Kosova nuk ka asgjë për të fshehur.
"Ne e dimë që ky është thjesht një produkt, i cili ka tendenca të qarta politike prapa, megjithatë ne duam që drejtësia ta thotë fjalën e vet që ta largojmë njëherë e përgjithmonë këtë pikë nga rendi i ditës", ka theksuar Çitaku.
Sipas saj, lufta në Kosovë nuk ka ndodhur shekuj më parë, por para 11 vjetësh, në sytë e botës dhe asnjë raport nuk mund të ndryshojë në mënyrë artificiale, të krijojë balanca artificiale ndërmjet viktimës dhe shtypësit.
Këto komente, Çitaku i bëri pas takimit me kryetarin e Komunës të Kaçanikut, Xhabir Zharku, ku është folur për problemet dhe progresin e shënuar lidhur me përmbushjen e kritereve, të cilat kanë dalë si rezultat i kërkesave të Komisionit Evropian për riintegrimin e personave të riatdhesuar.
Çitaku u shpreh e bindur se hetimi për akuzat e Martyt nuk do të prodhojë telashe në procesin e integrimeve evropiane. "Ky është një proces i ndarë. Ne nuk mund të jetojmë me këtë mjegull mbi supet tona", theksoi ajo.
HRW: Hap drejt drejtësisë
Vendimi i BE-së për të hapur hetime të veçanta për krimet e dyshuara në Kosovë dhe Shqipëri, pas luftës në Kosovë, është një hap i mirëpritur për drejtësinë dhe sundimin e ligjit në Ballkan, ka vlerësuar organizata Human Rights Watch.
Sipas kësaj organizate, suksesi i hetimeve varet nga emërimi i një prokurori me përvojë, nga një program efikas për zhvendosjen e dëshmitarëve jashtë rajonit, si dhe nga mbështetja e plotë e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
“Ky hetim i posaçëm i BE-së na sjell më afër drejtësisë për krimet e rënda, të kryera pas luftës në Kosovë”, ka thënë Benjamin Ward, zëvendësdrejtor i organizatës HRW për Evropën dhe Azinë Qendrore.
“Por, një prokuror me ndikim është i nevojshëm për të ndërtuar një ekip efektiv, për të garantuar sigurinë e dëshmitarëve dhe për të fituar mbështetjen e qeverive kyçe, duke përfshirë dhe atë të Shteteve të Bashkuara”, ka thënë ai.
Për ngritjen e Task Forcës kanë vendosur 27 shtetet anëtare të BE-së. Sipas EULEX-it, pasi që hetimi përfshin një dimension ndërkombëtar, Task Forca do të jetë pjesërisht me seli në Bruksel.
Task Forca, e përbërë nga prokurorë dhe hetues, do të punojë në hetimin preliminar që u fillua nga ky mision më 27 janar të këtij viti. Sipas EULEX-it, ky vendim dëshmon trajtimin serioz të Bashkimit Evropian për akuzat e Martit dhe nevojën që në Ballkanin Perëndimor të luftohet krimi i organizuar.
Sipas HRW-së, mbështetja e Shteteve të Bashkuara për hetimet është jetike, duke marrë parasysh marrëdhëniet e ngushta që ato kanë me qeveritë në Kosovë dhe Shqipëri. “Si përkrahësja kryesore e ndërhyrjes së NATO-s më 1999 dhe pastaj e pavarësisë së Kosovës, SHBA-ja ka përgjegjësi për të promovuar dhe mbrojtur sundimin e ligjit në Kosovë”, ka thënë Ward.
Duke folur rreth programit për mbrojtjen e dëshmitarëve, duke përfshirë dhe aftësinë për zhvendosjen e tyre jashtë Kosovës, Ward ka theksuar se kjo është gjëja kryesore për suksesin e hetimeve të veçanta.
“Hetimet e mëparshme për dhunën politike dhe krimin e organizuar në Kosovë janë penguar nga ngurrimi i dëshmitarëve për t’u paraqitur, për shkak të frikës së hakmarrjes kundër tyre ose familjeve të tyre. Zhvendosja jashtë rajonit është shpesh e vetmja mënyrë për mbrojtjen e dëshmitarëve, por qeveritë perëndimore në përgjithësi nuk kanë qenë të gatshme ta bëjnë këtë, kryesisht për arsye të brendshme politike”, ka vlerësuar ai.
Sipas Wardit, ky hetim do të ketë sukses vetëm nëse qeveritë evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara angazhohen për t’i pranuar dëshmitarët dhe anëtarët e familjeve të tyre, siguria e të cilëve kërkon zhvendosje. “Ky hetim i posaçëm mund të na ndihmojë për të mbyllur tmerret e luftës në Kosovë, por është e rëndësishme që ai të marrë mbështetjen e nevojshme për një punë të drejtë”, ka theksuar ai.
Dick Marty kishte deklaruar më herët se Brukseli do të bëjë çmos që të harrojë këtë rast dhe se kurrë nuk do të pranojë “zgjidhjen e vetme” – formimin e një njësie të posaçme hetuese jashtë Kosovës, me autorizime të veçanta dhe me program shumë serioz për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi kishte reaguar ashpër ndaj akuzave të Martyt. Në një intervistë për gazetën "The Times", akuzat ndaj tij si mafioz dhe trafikant organesh njerëzore, ai i kishte cilësuar të ngjashme me "propagandën naziste".