E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Burgjeve, dy vjet pa marrë shpërblimet e gradave

Rreth tre mijë “gardianë” nuk trajtohen financiarisht, pasi fituan gradat e reja

Dy vjet pasi kanë fituar gradat e reja, punonjësit e Policisë së Burgjeve ende nuk janë trajtuar financiarisht. Shteti shqiptar u detyrohet miliona lekë, të cilat nuk janë paguar deri më sot, për shkak të burokracive. Si rrjedhojë, rreth tre mijë “gardianë” nuk kanë marrë asnjë kacidhe nga “shpërblimet” për çdo gradë të fituar nga shkollimi, përvoja dhe vjetërsia e punës. Megjithëse duhet të trajtoheshin më mirë financiarisht, punonjësit e policisë ankohen nën zë se shteti nuk është kujtuar dhe duhet një veprim i menjëhershëm. Sipas tyre, shteti u mohon rreth 20-30 për qind të rrogës që marrin aktualisht dhe kjo nuk është pak, pasi rroga bazë është shumë e ulur duke parë vështirësitë që kalojnë. Sipas ankesave të “gardianëve”, vlerësimi i gradave pas hyrjes në fuqi të ligjit për “policinë e burgjeve” është realizuar rreth dy vjet më parë nga komisionet e vlerësimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe në Ministrinë e Drejtësisë. Kohë më parë, çdo punonjës policie plotësoi një dosje me të dhënat e punës dhe në fund komisionet e vlerësimit përcaktuan gradën e re. Pas publikimit të gradave të reja, punonjësit që kishin pakënaqësi u drejtuan në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe me verifikimin e kërkesës u mor edhe vendimi përkatës. Më pas, u realizua edhe procesi bazuar në vendimin e qeverisë për gradat e reja në sistemin e burgjeve.

Komisionet e Vlerësimit

Fillimisht, Ministria e Drejtësisë ngriti një komision vlerësimi për titullarët e Policisë së Burgjeve. Pas marrjes së gradave të titullarëve të Policisë së Burgjeve puna u përqendrua te vlerësimi i të gjithë punonjësve të Policisë së Burgjeve, roli i mesëm dhe i ulët. Për këtë qëllim u ngrit një komision vlerësimi, i cili kishte për detyrë zbatimin e statusit të policit të burgjeve, i cili e dallon dhe ndan atë nga agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, si dhe u lejon për herë të parë atyre të drejtën e organizimit në sindikata. Vendimi i qeverisë, i cili u “certifikua” si ligj në Kuvend përmbante strukturën e Policisë së Burgjeve sipas funksioneve, si dhe përgjegjësitë për çdo funksion të saj. Në mënyrë të veçantë, ky ligj rregullon hollësisht marrëdhëniet e punës së punonjësve të Policisë së Burgjeve, duke plotësuar disa nga mangësitë e konstatuara. Në një nen të veçantë janë përcaktuar në mënyrë të detajuar çështjet që lidhen me kontratën e punës, kohën e punës dhe ditët e pushimit, pagën dhe shpërblimin, kriteret e përgjithshme dhe të veçanta për pranimin në Policinë e Burgjeve, si dhe rastet e lirimit nga detyra. Megjithatë, trajtimi për pagën dhe shpërblimet që kanë ardhur nga fitimi i gradave të reja nuk është realizuar deri më sot.

Kriteret për gradat

Në ligj është përcaktuar hollësisht edhe çështja e gradave të Policisë së Burgjeve, ku përfshihen çështje si hierarkia për rolet dhe gradat, kriteret për fitimin e gradës, përcaktimi i funksioneve për gradë, heqja apo ulja në gradë, si dhe e drejta e ankimit në rast se punonjësi nuk është dakord me vlerësimin për gradën. Efekti financiar i projektligjit “Për Policinë e Burgjeve”, duke llogaritur fondin e pagës, si dhe të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore arrin shumën prej 1.750.987.000 lekësh. Përllogaritja është bërë duke pasur parasysh që sistemi i gradave i propozuar përputhet me tabelën e pagave të Ministrisë së Brendshme për këto grada, duke i zhveshur nga specifikimet që ka vetë Ministria e Brendshme; gjatë përllogaritjes u konsiderua mesatarja e vjetërsisë dhe gradave sipas vendeve të punës; si dhe u mor në konsideratë niveli aktual i trajtimit financiar për Policinë e Shtetit, përshtatur në shërbimet që realizon Policia e Burgjeve. Të gjithë punonjësit e policisë së burgjeve kaluan në “skaner” nga shteti në lidhje me vjetërsinë për të marrë gradën që u takon, ndërsa është lënë në mëshirë të fatit marrja e shpërblimeve për fitimin e gradave, të cilat konvertohet financiarisht.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›