E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxënësit e shkollave të mesme në kryeqytet, rrezikojnë strehimin në konvikte



Nxënësit e shkollave të mesme në kryeqytet rrezikojnë strehimin në konvikte këtë vit mësimor. Shkak për këtë është bërë mospërgatitja e këtyre godinave, e cila jo vetëm që deri tani nuk ka nisur, por nuk dihet ende se kur do të nisë. Ndërsa personeli i përgjysmuar i Drejtorisë së Trajtimit të Nxënësve Konviktorë prej dy muajsh nuk ka marrë as rrogën. Situata e krijuar rrezikon seriozisht moshapjen e konvikteve për nxënësit e shkollave të mesme në kryeqytet. Pak kohë më parë, Këshilli i Ministrave vendosi që 487 punonjës të konvikteve të kalojnë në varësi bashkive. Njësitë e pushtetit vendor, në bazë të këtij vendimi, janë përgjegjëse dhe do të vendosnin vetë për numrin e punonjësve, strukturat analitike, rregullat për marrjen në punë dhe emërimin e tyre. Njëkohësisht, njësitë e pushtetit vendor do të vendosnin vetë për skemën e administrimit të konvikteve të sistemit parauniversitar me synim plotësimin e kushteve të jetesës për nxënësit që vijnë nga shtresat sociale në nevojë si dhe për ata nxënës të cilët e kanë të pamundur rikthimin në vendbanimin e tyre.

22 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›