Studentët këtë vit do të mësojnë numrin e dhomës në konvikt nëpërmjet internetit
Emanuela Sako
Tani studentët do të zënë dhoma në konvikte nëpërmjet klikimeve që do të bëhen në faqen zyrtare të Drejtorisë së Qytetit Studentit. Drejtoria e Qytetit Studenti ka gjetur një mënyrë krejt origjinale për të shmangur radhët për një dhomë në qytetin e të rinjve. Drejtori Bujar Brovina ka shpjeguar se këtë vit të gjithë studentët mund ta gjejnë në internet numrin e dhomës dhe të godinës ku do të strehohen. Madje në dispozicion të studentëve është vënë dhe adresa www.qytetistudenti.com, e cila do të ketë të afishuar emrat e të gjithë studentëve si dhe numri përkatës i dhomës dhe i godinës. Sipas Drejtorit Brovina kjo bëhet për të shmangur radhët e gjata nëpër godina. Por, duket se arsyeja e vërtet është shmangia e abuzimeve nga ana e kujdestareve të konvikteve, të cilat marrin ryshfete nën dorë për të gjetur një dhomë më të mirë. Një situatë e tillë është bërë traditë në Qytetin Studenti, pavarësisht deklaratave që janë bërë që flasin për korrektësi dhe shmangie të abuzimeve.
Tarifa
Ndërkohë është bërë publike edhe tarifa që do të paguajnë studentët për këtë vit akademik. Kështu, tarifa e qëndrimit në konvikte do të jetë e njëjtë me një vit më parë dhe është në masën e 12.000 lekëve. Tashmë studentët që vijnë do vit nga rrethet e vendit, nuk do t’iu duhet që të shkojnë në godinat e tyre për të zënë dhoma, duke shkaktuar radhë të gjata. Por, atyre do t’iu duhet thjeshtë të shkojnë 5 minuta në një qendër interneti për të aplikuar për dhomën që ata duan të kenë. Një mënyrë e tillë do të ishte më efikase, por nëse do të funksionojë ashtu siç është menduar atëherë studentët dhe familjarët e tyre do të kursejnë një pjesë të parave.
Projekti
Projekti i ri i Drejtorisë së Qytetit Studenti parashikon shmangien e një sërë problemesh me të cilat hasen çdo vit punonjësit e kësaj drejtorie. Njëkohësisht, ky do të jetë edhe viti i par i eksperimentimit të kësaj ideje, e cila pritet të japë rezultate e veta. Një pjesë e studentëve do të detyrohen të vijnë për shkak të mosnjohjes së procedurave. Në këtë listë do të përfshihen studentët e viteve të para, të cilët nuk i njohin dhomat dhe godinat në të cilat do t’iu duhet të qëndrojnë për disa vite me radhë. Ndërsa autoritetet sqarojnë se nuk ka mungesa të dhomave për këtë vit.
22 Gusht 2008