Universitetet, përfundon procesi i llogaritjes së pikëve të Maturës
Ka përfunduar përllogaritja e pikëve të maturantëve që morën pjesë në katër provimet e Maturës Shtetërore. Të gjithë Drejtoritë dhe Zyrat Arsimore në vend tërhoqën dje, Librin e Transparencës në formë elektronike të Maturës Shtetërore 2008. Duke filluar nga dita e sotme, çdo DAR/ZA duhet të afishojë të dhënat e Librit të Transparencës në çdo shkollë. Maturantët-kandidatë për në Institucionet publike të Arsimit të Lartë, nëse do të vërejnë pasaktësi në llogaritjen e bërë në mesataren e shkollës së mesme, gabime te emri, mbiemri, atësia e kandidatit, etj, duhet të plotësojnë një Formular të Korrigjimit të Pasaktësive, të cilin mund ta tërheqin në shkollën përkatëse. Çdo DAR/ZA do t’i pranojë këta Formularë të plotësuar sipas udhëzimit përkatës deri më datën 1 shtator 2008. Libri i Transparencës, i botuar për herë të parë vitin e kaluar, ka formën e një regjistri kombëtar dhe përmban të renditur sipas rrethit dhe shkollës, të gjithë kandidatët për në Institucionet publike të Arsimit të Lartë. Në këtë libër janë paraqitur katër notat e përshkallëzuara të katër provimeve të Maturës Shtetërore, mesatarja e shkollës së mesme dhe rezultatet e kalkuluar me koeficientet përkatës, të çdo kandidati, për secilën nga 10 preferencat. Çdo kandidat për shkollë të lartë duhet të ketë bërë tashmë llogaritjet e pikëve të grumbulluara nga ai për secilën nga 10 preferencat e përzgjedhura. (Llogaritja e pikëve shpjegohet edhe në Guidën e Maturës Shtetërore 2008). Këtë llogaritje ka bërë edhe Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) dhe i ka botuar në Librin e Transparencës. Maturanti-kandidat, në bazë të të dhënave të afishuara në shkollën e tij duhet të bëjë krahasimin dhe nëse verifikon mospërputhje të të dhënave personale dhe të pikëve të llogaritura nga ai, krahasuar me të dhënat e Librit, duhet të plotësojë Formularin e Korrigjimit të Pasaktësive. Formulari depozitohet në shkollë, shkolla i’a dërgon Drejtorisë Arsimore përkatëse, kjo e fundit ia dërgon APRIAL-it. Pasi të bëhen të gjitha verifikimet dhe të përcillen pasaktësitë e mundshme, MASH-i do të nxjerrë, në përputhje me udhëzimet përkatëse, renditjet e maturantëve për në shkollat e larta. J.Tashi
22 Gusht 2008