Koncertë në dy skena në festivalin folklorik në Vlorë

Festivali Foklorik Ndërkombëtar "Aulona International Folk Festival", që ka nisur prej dy ditësh në qytetin e Vlorës, u zhvendos dje në mbrëmje në dy skena, në Teatrin "Petro Marko" dhe në një mjedis të improvizuar në sheshin përpara stadiumit "Flamurtari". Në skenën e Teatrit "Petro Marko", performuan grupet e Vaut të Dejës, "Meçovo"(Greqi), "Zeljezniçar" (Zagreb-Kroaci), "Burimet e Sharrit" (Tetovë-Maqedoni). Të pranishmit vlerësuan interpretimin e grupit të Zagrebit, ku dominonin vallet, të interpretuara me elegancë e hijeshi. Ndërsa në skenën e improvizuar interpretuan grupet "Shote Galica" (Drenas-Kosovë), "Porta di Danza"(Mali i Zi), "Cerçiz Topulli" (Gjirokastër), "Mirçe Açev"(Shkup-Maqedoni), në prani të qindra qytetarëve. Vallet e grupit të vajzave dhe të djemve të grupit "Porta Di Danza"(Mali i Zi), sollën traditat e zonës së Ulqinit, aromën e peshkut dhe ullinjve, dy nga pasuritë kryesore, që përbëjnë edhe simbolikën e folklorit vendas. Me këngë dhe valle si "Nevestinko", "Tikvesko", "Povardarie", grupi i Shkupit, shfaqi autenticitetin e folklorit burimor. 27 artistët e grupit të Drenasit(Kosovë), nga të cilët 5 instrumentistë dhe 6 valltare, u duartrokitën gjatë për performancën që shfaqën. Janë 9 grupe folklorike nga vendi dhe të huaja që marrin pjesë në Festivalin Ndërkombëtar, "Aulona International Folk Festival", i cili ka nisur mbrëmjen e së të shtunës, në Vlorë. Aktivitet i dimensioneve ndërkombëtare vlerësohet si risi për jetën kulturore të qytetit. Organizatorët synojnë t'a shndërrojnë në traditë, si një aktivitet me karakter të drejtpërdrejtë burimor e tradicional, duke u udhëhequr nga parimet e CIOFF (Organizata Ndërkombëtare e Organizimit të Festivaleve Folklorike). Festivali zhvillohet në marrëdhënie partneriteti mes Bashkisë së qytetit, organe dhe institucione të interesuara qendrore e lokale dhe ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Sot në mbrëmje, do të zhvillohet nata finale ku do të ndahen dhe çmimet, ndërsa koncerti përmbledhës, do të shfaqet në mjedisin përpara stadiumit të qytetit.Festivali "Aulona International Folk Festival", që organizohet nga Qendra Kulturore "Bilbilat e Jugut", u bashkohet dy aktiviteteve të tjera të ngjashme, që zhvillohen në Vlorë, mes të cilave, Festivali Foklorik Mesdhetar dhe Festivali Kombëtar i Isopolifonisë. Por, në ndryshim nga dy të tjerat, ky festival promovohet në kuadrin e çeljes së sezonit turistik dhe ka dimensione më të gjera të grupeve pjesëmarrëse.
...