“Kontestimi” ndërkombëtar i opozitës shqiptare
Në vitet e qeverisë “Berisha” kanë ndodhur zhvillime të atilla, të cilat kanë patur jo vetëm jehonë por edhe rëndësi, përveçse kombëtare edhe ndërkombëtare. Mbi këtë bazë është artikuluar prej të huajve edhe shprehja se, “Shqipëria po bëhet shëmbull frymëzimi në rajon dhe më gjerë për reformat e ndërmarra”. Është kjo arsyeja që institucionet ndërkombëtare i kanë dalë menjëherë në “mbrojtje” qeverisë shqiptare, sa herë që ajo është sulmuar dhe nuk është vlerësuar realisht nga opozita e vendit për rezultatet e arritura. Rasti më i fundit në këtë drejtim ka qënë ai i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, kur deklaroi se, anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancë nuk erdhi si dhuratë, por si shpërblim i progresit të reformave që Shqipëria ka ndërmarrë gjatë këtyre viteve, duke theksuar, midis të tjerash se: "Anëtarësimi i vendit tuaj, zoti kryeministër dhe shkëlqesi ambasadorë, nuk ishte një dhuratë, nuk ishte diçka që jepet lehtë. Ishte një shpërblim për punën e palodhur të shumë viteve dhe suksesin e reformave të vështira dhe të shumanshme, të cilat u ndërmorën me vendosmëri të palëkundur". Ndërsa liderët e së majtës e kanë konsideruar këtë ngjarje si një “dhuratë” të ardhur për shkak të pozicionit strategjik që ka Shqipëria në rajon. Një “kontestim” tjetër ndërkombëtar i ditëve të fundit ka qënë edhe deklarata e Ann Margaret Uestin, përfaqësuese e Fondit Monëtar Ndërkombëtar në Shqipëri, për kredinë prej 250 milionë euro që mori qeveria shqiptare nga disa banka të huaja. “Mendimi ynë është se në situatën e tanishme globale, sidomos në vendet në zhvillim ka një klimë të shtërnguar përsa i takon financimit, pra është e rëndësishme dhe ne e mirëpresim faktin që qeveria shqiptare arriti të sigurojë këtë kredi. Në e vlerësojmë faktin që nëpërmjet kësaj kredie po hidhet më shumë valutë në ekonomi”, tha midis të tjerash znj. Uestin. Kurse ish ministri i Financave, Arben Malaj dhe politikanë të tjerë të opozitës të tipit Braçe e konsideruan këtë kredi “shkatërruese për financat dhe eknominë shqiptare për shkak të interesave të saj të larta”, ndërkohë që siç e pohoi dhe ministri aktual i Financave, Ridvan Bode, “shtete të tjera po kërkojnë kredi me dyfishin e këtyre interesave dhe s’po marrin dot”. Të njëjtën standard vlerësimi ndërkombëtar për qeverinë shqiptare ka përdorur, këto ditë, dhe kongresmeni amerikan, Eliot Engel, i cili po e krahason Berishën me Ajzenahurin. "Në qoftë se dikush do të më kishte thënë në vitin 2004 që Shqipëria do të hynte në NATO në pesëvjeçarin e ardhshëm, unë nuk do ta kisha besuar kurrë, por tashmë falë reformave që ju ndërmorët dhe lidershipit tuaj, kjo është realitet", u shpreh midis të tjerash kongresmeni Engel.
Nuk ka diskutim që arkitekti i këtij ndryshimi të madh europian të Shqipërisë është kryeministri dhe lideri demokrat Prof. Dr. Sali Berisha, të cilin Gjinushi, Rama & co. e etiketojnë si “Sali Gërdeci”. Kur ata nuk pranojnë asnjë arritje të këtyre 3-4 viteve të fundit, apo i zhvleftësojnë e përçmojnë ato, nuk kanë se si të vlerësojnë rolin e Berishës në këtë drejtim. Pëkundrazi, për ata, “lideri demokrat ka humbur edhe të vetme vlerë që kishte, atë të një familjari rregullt”. Kjo është arsyeja që, togfalëshi “familja kryeministrore” po përdoret si një prapashtesë e fjalës “korrupsion”, për të goditur e njollosur jo vetëm figurën e kryeministrit shqiptar por edhe atë të familjes së tij, e cila në fakt është një nga familjet model që ne kemi sot. Edhe në këtë aspekt politikanët e majtë të të gjithë ngjyrave dhe përkrahësit e tyre në fushën e medias po i bien papashim “murit” të vlerësimeve ndërkombëtare me “kokë” opozitare. Unë se di se si, “nuk skuqen e zverdhen pak” politikanët e majtë opozitarë kur përdorin etiketime të tilla, në një kohë që institucionet e ndryshme ndërkombëtare e konsiderojnë qeverinë shqiptare si mjaft të sukseshme në luftën ndaj korrupsionit dhe fenomeneve të tjera negative të kësaj natyre. Por ky konkluzion, më shumë se sa çështje fjalësh është çështje faktesh të provuara publikisht me treguesin e lartë të të ardhurave buxhetore, rritjes ekonomike, liberalizimin e lejeve dhe të licensave, reformën fiskale, investimet publike e kështu me radhë. Politikanët e majtë guxojnë të flasin për prani të shtuar të korrupsionit në qeverisjen aktuale, ndërkohë që kjo gjë përgënjeshtrohet, në mënyrë sistematike, pikë së pari, nga suskeset e reformave integruese në strukturat e ndryshme euro-atlantike. Në 2 prill të këtij viti, Shqipëria u bë anëtare e Alenacës, ndërsa në 28 prill, kryeministri shqiptar paraqiti kërkesën për statusin e vendit kantidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian; dy ngjarje këto mjaft të rëndësishme për vendin tonë. Të majtët, veçanërisht në rastin e kërkesës për aplikim nxorën në skenë teorinë e tyre të vjetër të “mollës që ende nuk është pjekur”, siç bënë 14 vjetë më parë kur Shqipëria u bë anëtare e KE-së, ndërkohë që përfaqësuesit më të lartë të Brukselit e mirëpritën kërkesën dhe e konsideruan atë në kohën e duhur. Rastet e “kontestimit” ndërkombëtar të opozitës shqiptare janë të panumërta gjatë këtyre 3-4 viteve të fundit, por që të gjithë tregojnë dështimin dhe mjerimin e politikanëve të majtë, kryesisht në misionin e tyre kombëtar, për të cilin janë përgjegjës të gjithë forcat politike në vend.
Termi “dështim i opozitës” duket si pa kuptim, po për realitetin shqiptar të viteve të fundit ai është mëse i vërtetë. Madje është diçka specifike për ne, pasi, si rregull i përgjithshëm, dështimi është tregues i keqqeverisjes së një vendi. Por qeveria “Berisha” ka rezultuar më se e suksesshme, gjë që ka ndikuar, kuptohet indirect, jo pak në dështimin opozitar. Këto arritje, kanë qënë si një dritë e fortë në sytë e papërgatitur dhe terrin e opozitës, që e kanë verbuar dhe çorjentuar keq atë. Kjo do të thotë se, dështimi nuk është në kuadrin e gjithë klasës politike, por në kuadrin e realizimit të misonit opozitar të saj. Pra e dështuara e vetme në këtë rast është ajo dhe vetëm ajo. Madje kemi të bëjmë me një dështim të turpshëm të minorancës majtiste. Kësisoj, opozita shqiptare po bëhet çdo ditë e më shumë “gazi i botës”, siç i thonë, në qëndrimet dhe vlerësimet e saj për ngjarjet dhe zhvillimet e ndryshme politiko-shoqërore apo ato ekonomike që kanë ndodhur në vitet e qeverisë “Berisha”. Analiza e fakteve tregon se, një situatë të tillë, më shumë se sa papjekuria e liderëve e ka krijuar xhelozia ndaj kundështarëve të saj politik, pse jo dhe ligësia genetike që social-komunistët kanë trashëguar nga të parët e tyre. Në fushatën zgjedhore të vitit ’05 ata nuk parashikonin as ndryshimin e pushtetit, jo më arritje të tilla, që në shumicën e tyre janë me efekte pozitive për gjithë qytetarët shqiptarë. Shumë nga këto arritje; si anëtarësimi në NATO, vizita e Presidentit Bush, të parit president amerikan në detyrë, pavarësia e Kosovës, ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, janë me të vërtetë historike, që do të bënin të ndjehej keq çdo opozitë në botë. Sidoqoftë, për një opozitë dinjitoze, këto rezultate përmbajnë edhe anën tjetër të medaljes, nëse ajo do të dinte të bëhej faktor me ndikim pozitiv për mbarëvajtjen e këtyre proceseve. Por opozita shqiptare e ka patur të vështirë të luaj rolin e saj edhe për faktin se qeveritarët e majtë, për tetë vjetë me radhë, krijuan një emër të keq jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë për rezultatet tërësisht negative të arritura në atë periudhë. Kështu që pasardhësve të tyre në opozitë u dilte për detyrë që të ndryshonin tërësisht sjelljen dhe qëndrimin politik. Ndërkohë, politikanët opozitar zgjodhën një rrugë të gabuar qoftë për të mbrojtur kauzën e majtë ashtu dhe për të luftuar qeverisjen e djathtë. Ata menduan se duke mos i pohuar arritjet qeverisëse apo duke shpifur dhe akuzuar pa baza për fenomet e ndryshme negative do t’ia dilnin mbanë në misionin e tyre të mbrapsht për të zhvleftësuar apo njollosur kundështarin e tyre politik. Por dështuan turpshëm, jo vetëm për cektësinë politike të strategjisë së përdorur po edhe për respektimin fanatik të trashgimisë komuniste në zgjedhjen e mjeteve të propagandës dhe krijimin e aleancave të tipit “marksist-leninist”, brenda dhe jashtë vendit. Në këtë lloj përpjekje të dëshpëruar për të goditur imazhin e qeverisë e të vendit ata lanë në fushën e betejës edhe plotë “viktima” nga institucionet e pavaruara, ku më të njohurit ishin Prokuroria e Përgjithëshme apo disa organe mediatike, për zellin e treguar në sajimin dhe hetimin e çështjeve të tilla si, “korrupsioni me fondet publike në rrugën Durrës-Kukës”, “pastrimi i pareve nga Damir Fazlliç”, etj. Por ajo ç’ka të bënë më shumë përshtypje më këtë rast ka qënë mostërheqja e tyre edhe përballë vlerësimeve pozitive, madje shpesh herë me superlativa të ndërkombëtarëve për mrekullinë shqiptare të këtyre viteve të fundit, nën qeverisjen e demokratëve. Social-komunistët ende nuk po kuptojnë se, nuk mund të ketë mbrojtje apo zhvillim të interesave kombëtare pa shpërlarë vetveten nga mëkatet dhe psikologjia politike e së shkuarës, që e konsideronin kundërshtarin politik si “armik të brendshëm e të jashtëm” dhe ishin të gatshëm “të hanin edhe bar vetëm idealet komuniste mos të tradhëtoheshin”. Ata tremben nga e vërteta si djalli nga temjani, pasi mashtrimi dhe demogagjia janë bazë e filozofisë së tyre politike. Qëllimi i tyre i mbrapsht është që të përdorin çdo mundësi për t’mos e lënë qytetarin të gëzohet e të shpresojë për më mirë, duke u mbështetur në arritjet e deritanishme. Qytetari i thjeshtë, që siç thotë Louis Brandeis, “…është ofiqi më i lartë në një vend demokratik”, nuk ka jo vetëm mundësi intelektuale por as kohë fizike që t’u përkushtohet analizave e ballafaqimeve të tilla, edhe sikur të kthejmë “orën e informacionit politik” të kohës së monizmit. Ai, bazuar në ndodhitë e këqia që kanë shoqëruar pjesën më të madhe të jetës së tij, jo vetëm në monizëm por edhe në demokraci, është i predispozuar të dëgjojë më shumë se sa të shohë, të qahet më shumë se sa të lumturohet, të jetë më shumë militant se sa mirënjohës e kështu me radhë. Por tashmë, kur qytetarët shqiptarë nuk i përkasin vetëm vendit tonë , por edhe NATO-s, BE-së apo strukturave të tjera ndërkombëtare, ata duhet të fillojnë të dëgjojnë ç’thonë politikanët e huaj pasi, jo vetëm nuk kanë interesa politike, por as nuk vuajnë nga komplekse të rëndomta xhelozie, sikundër ndodh me politikanët e majtë shqiptarë.