E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxjerrja e Dr. Samimit nga legjenda

1. Studentët e brezit tim, rrokën valën në shuarje të legjendës, nëpër theqafjet e jetës të dijetarit Dr. Vasfi Samimi Visoka, tek e shihnin të zbriste për në fakultet apo kur zinte vend përballë auditoriumit, në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës, në Tiranë. Thuajse, askush aty, nuk e shpjegonte dot zanafillën e saj. Kundërshtarë rrufjanë nuk pushonin së sajuari pengesash që i përthithnin atij energji të jashtëzakonshme. Ata, siç shkruan ai, ishin “zyrtarë, mjerisht edhe profesorë, pedagogë e punonjës shkencorë, të urdhëruar “nga lartë” e “nga poshtë””, që mbanin, ngritur dhe gati, kapakun mbyllës e mbytës: ka qenë në burg si kriminel lufte dhe leksionet i ndot deshtaz me ideologji borgjeze. Mbështetësit fisnikë të pafuqishëm flisnin nënzë të kundërtën: është profesor i madh dhe atdhetar i madh. Por, të dy palët, nuk i njihnin shkaqet e thella, përveçse luanin me famën e tij, që erdh e u venit në pëshpërimë a thashethem, dersi sa nuk u dëgjua e as u përcoll më, sapo Dr. Samimin e thirrën në zyrën e kuadrit, të plotësonte dokumentet: “Më 1 janar 1975 del në pension”. Ashtu, kundërshtarët nën shtrëngime politike, nuk e kishin më përballë dhe kësisoj ndihmohej harrimi. Studentët e mëvonshëm nuk e shihnin më mes tyre për të pasur mundësinë e mbajtjes gjallë të legjendës. Sidomos, pas 5 gushtit 1981, kur ai ndërroi jetë, a mos dheu përpiu me gjithëçka kish? Nata e gjatë, rënë mbi kohën e tij dramatike gjallë - vdekur, nuk besohej se mund të ndriçohej. Kjo kërkonte fuqinë e një shpirti të madh, po ku të gjindej ai lloj njeriu? Kjo kërkonte kthim te vlerat, por a kanë çmim dijet mbetur nëpër këmbët e turravrapit të harbuar për fitim? Kjo kërkonte para, por a i nxjerrin ato kthetrash emisionet ditore gëlltitëse gjysmëlakuriq?

2. Dr. Samimi paska parathënë vetveten, për kur të mos ishte më, tek u la bijve porosinë e dhimbshme, lindur nga aftësitë e tij të habitshme ose përballimi i realitetit politik të vrazhdë kundër: “Mos kërkoni asgjë. Atë që u duhet, bëjeni vet!”. Më 25 maj 2009, njëzetetetë vjet pas vdekjes, ndodhi e pabesueshmja. Mbi tavolinën  e punës rendita njëmbinjë, një mal me libra - plot 28 volume, me 15 000 faqe gjithësej, një oqean dijesh përmbledhur në kolanën e eruditit të pashoq të shekullit të kaluar, Dr. Vasfi Samim Visoka. Kjo nuk është thjesht një ngjarje e bukur, por edhe e bujshme; nuk është një ndodhi e rrallë, por edhe e beftë; nuk është diçka e pritur, por fare e panjohur; nuk është thjesht botimi i një libri, por një përjetim tronditës, sepse është kryer zhvarrimi shpëtues i veprës poliedrike të njërit prej elitës së kombit. 

Trashëgimia e unikale dhe e shumëanshme e Dr. Samimit dihej se qe një minierë e fshehur, skajuar diku nëpër kutia kartoni rregulluar me dorën e vet. Ajo ndoshta nuk do të zbulohej, e dënuar nga diktatura në honin e bjerrjes së pakthyeshme. Por, fatmirësisht ishte ruajtur nga kujdesi i krijuesit, me kurajën e njeriut që zotëronte finesën e shkollës elitare turke dhe disiplinës së hekurt të shkollës gjermane, që i dhanë fuqinë e mbijetimit në jetë, edhe kur nuk merr shpërblim për çka bën e dyshimit brejtës se përkujdesja mund të shkonte dëm. Kjo pasuri, përveç se u shpëtua, edhe u zbulua. Përveç që u gjet, edhe u nxorr nga pluhuri. Përveç që u shti në dorë, edhe u shqyrtua. Përveç që u çmua, edhe iu dha trajta e një thesari dijesh siç ishte. Këtë veprim nuk e ndërmorri shteti. As Universiteti Bujqësor i Tiranës (atëherë Instituti i Lartë Bujqësor i Kamzës) ku ligjëroi profesori i pazakontë, të cilit iu ndalua dhënia e titullit profesor dhe nuk iu njoh doktoratura e kryer shkëlqyeshëm në Berlin. As ndonjë OJQ, nga ato që thithin para si vrima të zeza, nuk u bë gjallë për mbështetje. As ndonjë parelli me rrathë e vargje floriri qafë e duar nuk u ndje, sepse shpenzimi për çgroposjen e dijeve arsyetohet si groposje kotmëkot e fitimeve. Veprën e ndriçuan bijtë nga xhepi i tyre, kur ajo pati mbërritur në zgrip, dhe i dhanë përmbajtjen e një monumenti mbresëlënës, që pa asnjë diskutim përbën një ngjarje të denjë për ta emërtuar 2009-të si “Viti kulturor Dr. Samimi”, por që është e pashënuar si e tillë në asnjë lloj kalendari, publik a privat. Kur këtë ia bëra me dije me e-mail një mikut tim të ditur në Zvicër, i ngazëllyer ai u përgjigj: ”Dr. Samimi paska lënë djem, djem, djem!”.

3. Kjo prurje shumë e pasur e Dr. Samimit, në shkencën dhe kulturën shqiptare, mbërriti si një shpërthim tepër i vonuar vullkani, duke përhapur një yjësi dijesh:

Ai shqiptar i madh, i lindur më 1905 dhe mbetur jetim qysh pesë vjeç, u nis për te daja i tij futur në një kosh mbi samarin e kalit, nga Visoka në molin e Durrësit, dhe prej andej me një avullore drejt e në qendër të Perandorisë, në Stamboll, ku përfundoi të gjitha nivelet e studimeve. Doktoraturën e kreu në Gjermani, në Berlin. Sapo mori thirrjen e qeverisë së Mbretit Zog, ai u largua nga Turqia, prapësoi kërkesën për punësim të paguar mirë në Australi, la punën në universitetin gjerman, dhe u kthye në Shqipëri, edhe pse aty nuk kishte më baba, nënë e vëlla: atij i kishte mbetur vetëm atdheu.

Ai qe një specialist dhe shkencëtar, me publikime të studimeve të tij në Shqipëri, Gjermani, Itali, Turqi. U bë doktori veterinar më i madhi i më të mëdhenjve të blegtorisë së Shqipërisë, me një korrespondencë vetjake shumë të dendur, me personalitete kryqetërthorë Europës, i vetëm sa për një institut.

Ai qe një gazetar i spikatur, vrojtues i mprehtë i jetës, rrokës i problemeve të rëndësishme, shtjellues i mendimit të thellë, zemër që s’pushoi së vuajturi, kurajoz me fuqinë e dijeve dhe cilësitë e karakterit, zotërues i një gjuhe të pasur e stili elegant.

Ai qe njeri i shquar i kulturës dhe artit: shkroi tregime, novela, prozë poetike, drama, kritikë arti, aktroi në mënyrë moderne në skena teatrosh të Berlinit. Dr. Samimi mori diplomën e shkollës së aktrimit për theatrin gjerman të Maks Reinhardit, regjisorit të Aleksandër Moisiut. Njohu nga afër në skenat e Berlinit aktorin e famshëm shqiptar, për të cilin shkroi me përkushtim e pasion, mbrojti përkatësinë shqiptare të Moisiut nga mëtuesit për t’ia mohuar. Pikërisht për vlera të vërtetuara në art, në gusht të vitit 1943, në moshën 38 vjeç u emërua në detyrën më të lartë, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë, duke ftuar përreth vetes personalitete të kohës, përfshirë këngëtaren e madhe Tefta Tashko Koço dhe kompozitorin Pjetër Dungu.

Ai qe një  poliglot, njihte shumë gjuhë, kurora e të cilave mbahej nga turqishtja dhe gjermanishtja. Ky njeri i ditur përktheu prej osmanishtes përshkrimudhëtimet (Sejahatnamesë) nga Berati, të të famshmit Evlia Çelebi, udhëtarit të jashtëzakonshëm të Perandorisë. Dr. Samimi e shoqëroi përkthimin me një studim të mrekullueshëm, duke i bërë po aty, kritikë të hollë e të mprehtë përkthimit në gjermanisht të FrancBabinger, si dhe solli terminologji osmanisht - shqip, e vlerësuar nga orientalisti Vexhi Buharaja. Ai përktheu në turqisht Migjenin e Naim Frashërin. Por Dr. Samimi qe përkthyes i paarritshëm i Sami Frashërit, qe samiologu ynë, studioi e shkroi për Hasan Tahsinin dhe figura të tjera tonat, që kanë zenë vend në historinë e Turqisë, si dhe botoi për Kemal Ataturk dhe përktheu kujtime të tij.

Ai qe sociolog i vërtetë. Këtë e shquan lehtësisht në veprën e gjerë, pasi ishte përjetues i shpirtit drithërues të popullit të vet, vuajti e gëzoi bashkë me të, shprehu shqetësimet dhe këshilloi barin mbi plagë, tregoi rrugën për veprim, tha qortimin për ndryshim.

Ai qe një profesor i pakrahasueshëm për studentët. Leksionet e tij nuk ishin orar pjesëmarrjeje. Ora e mësimit qe ftesë e veçantë dhe rrëmbim i vëmendjes së studentëve, pa iu kërkuar atyre asfare disiplinë, sepse mbi ta ai sundonte me dijet e pafund dhe mënyrën si i përçonte ato.

Ai qe nje sportist i talentuar. Dr. Samimi luajti portrier në skuadrën e njohur të futbollit “Fenerbahçe”, të Turqisë. Pas kthimit në Shqipëri, ai u bë një ndër themeluesit e mëdhenj të sportit shqiptar dhe mendimit sportiv përmes shkrimeve të botuara, luajti portier me skuadrën e Vlorës dhe të Tiranës, kryesoi grupet tona sportive në olimpiadat e Ballkanit.

Ai qe një shqiptar i madh, por kjo vlerë, në vend që t’i bëhej kurorë shpërblimi, fatkeqësisht ia kthyen në shkak ndëshkim, që i solli andralla të rënda sa qe gjallë. Më 1943, ai botoi librin e tij të njohur “Nëna Kosovë - Shqipëria e vërtetë”, me të cilin i kundërvihej akademikëve kriminelë serbë dhe politikës pushtuese e skllavëruese jugosllave. Dr. Samimi tha qartë se, nuk ka Shqipëri të madhe a Shqipëri të vogël, ka vetëm Shqipëri të vërtetë. Partia Komuniste Shqiptare, vetëm një javë pasi mbërriti në pushtet, saktësisht më 9 dhjetor 1944, e arrestoi Dr. Samimin si “Armik i popullit” dhe, në mars të vitit 1945, e gjykoi dhe dënoi si kriminel lufte në gjyqin special, sepse kishte shkruar librin “Nëna Kosovë” dhe sepse e botoi atë në vitin 1943. Bashkë me të tjerë, është nxjerrë prej qelisë nga njerëz me veshje partizane, dhe u vu përballë murit të oborrit të brendshëm të burgut dhe tytave të armëve, për pushkatim simultant, si mënyrë torturimi psikologjik.Ai dënim i padrejtë me burgim e ndoqi pas si një mallkim i rëndë, nga që Dr. Samimi qe jashtëzakonisht i ditur, sepse bëri thirrje që sytë dhe shpirti shqiptar të hapeshin kah qytetërimi europian, dhe se kërkoi tërësinë e atdheut. 

Dr. Samimi,  përmes veprës së tij, të merr e të  fut në çdo kënd të botës, të bën shok me personazhe të panjohur, të përcjell dije me të cilat të shtang për nga shumica e shpejtësia e qarkullimit të tyre, sa thua e ngatërron epokat: jetoi para internetit apo në kohën e kësaj çudie? Dhe, kjo, vetëm se ai zotëroi, si pakkush, një oqean dijesh, vullnet të pashoq, librin si  burim, gjuhët si mjet dhe pushtoi biblioteka.

4. Gjithë puna e kryer për mëse dy vjet, me përkushtim dhe papushim, ia arriti qëllimit: kolana 28-vëllimshme na e bën të njohur një intelektual të madh, i lindur si i tillë. Megjithatë, ajo nuk përmbush gjithçka rreth dijetarit. Ai vdiq më 1981 dhe nuk e pa të botuar veprën e vet. Siç thuhet, nuk ka vdekje pa peng, por pengun e të atit e përmbushën në mënyrë të shkëlqyer të dy bijtë, Ergjini dhe Genci, burra të kulturuar e specialistë të zotë në fushat e tyre. Shoqëria jonë duhet t’i mbetet mirënjohëse kësaj familjeje të madhe, që i dha asaj shumë dhe prej saj mori pak. Dr. Samimi iku edhe pa titullin e merituar shkencor “Profesor”, por vepra e jashtëzakonshme që la, sa shumë tituj “Prof.” e “Dr.” rrëzon!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›