28 qershori do perserise lavdine elektorale te 22 marsit 1992

Partia Demokratike çeli mbrëmë fushatën elektorale, me një miting madhështor në Sheshin “Skënderbej”. Para mijëra të pranishmëve, të cilët krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme, kreu i mazhorancës, Sali Berisha shpalosi programin e katër viteve të ardhshme, i cili parashikon rritje të mëtejshme të pagave dhe pensione, hapjen e 160 mijë vendeve të reja të punës, shtrimin e akseve të reja rrugore, tërësisht moderne, liberalizim të vizave me BE dhe anëtarësim të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian
Partia Demokratike hapi dje zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit, me një miting madhështor të organizuar në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë.
Nën tingujt e këngës së grupit të njohur gjerman, Modern Talking, “We can win the race” (Ne do të fitojmë garën) e cila është edhe kolona zanore e përzgjedhur nga PD për këtë fushatë elektorale, kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht edhe Kryetar i Partisë Demokratike, u ngjit në skenën madhështore të ngritur me këtë rast, ku nën moton “Shqipëria po ndryshon”, çeli zyrtarisht fushatën elektorale.
Para mijëra të pranishmëve në këtë shesh, të cilët krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme, kreu i qeverisë shpalosi programin e Partisë Demokratike për katër vitet e ardhshme të qeverisjes.
“Sot ne nisim startin e madh për fitoren e dyte”, u shpreh kryeministri para të pranishmëve.
Kreu i ekzekutivit deklaroi se Tirana do të jetë kryeqyteti i vendit në rritje ekonomike dhe aplikante për në Bashkimin Evropian. Sipas tij në katër vitet e ardhshme të mandatit të dytë qeverisës do të jenë vitet e progresit më të madh të Shqipërisë.
“Shqipëria evropiane do të jetë Shqipëria e punës, e biznesit, e progresit, e zhvillimit, e pasurimit, e begatisë”, tha kryeministri.
Berisha garantoi se katër vitet e ardhshme qytetarët dhe pensionistët do të paguhen më mirë se ata të 6 vendeve anëtare të BE.
“Tirana evropiane, Shqipëria evropiane do të jetë kryeqyteti i vendit, qytetarët e pensionistët të cilët do të paguhen edhe më mirë se ata të 6 vendeve anëtare të BE-së. Tirana evropiane do të jetë Tirana e lirive, do të jetë Tirana e prestigjit dhe e dinjitetit të këtij kombi”, theksoi kryeministri.
Berisha u premtoi qytetarëve se Tirana do të jetë kryeqyteti i vendit ku katër vitet e ardhshme, shqiptarët do të kenë rrugët, transportin, standardet me të larta të një vendi anëtar të NATO-s dhe aplikant për anëtarësim të plotë në Evropën e Bashkuar. Lideri i mazhorancës, u kërkoi votuesve që më 28 qershor të kthejnë fitoren e 22 marsit të vitit 1992 dhe për të vazhduar rrugën e integrimit në BE.
“Në katër vite, ne së bashku, këtu në Tiranë, ku ne e nisëm udhëtimin tonë të lirisë, do të shndërrojmë në realitet ëndrrën tonë të bukur, Tirana gati nuse, Shqipëria gati nuse për anëtare të Bashkimit Evropian”, u shpreh kryeministri.
Partia Demokratike hyn në garën elektorale të këtij viti me koalicionin më të madh në histori, me plot 10 parti politike, me synimin e vetëm të fitores së thellë të zgjedhjeve.
Katër vitet e mandatit që po mbyllet, qeverisja demokratike arriti të realizojë të gjitha premtimet e saj, si rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet në infrastrukturë, furnizimin me 24 orë me energji elektrike, hapjen e afro 100 mijë vendeve të reja të punës, uljen e taksave, realizimin e reformave jetike që mundësuan edhe anëtarësimin e vendit në NATO e njëherazi dorëzimin në Bruksel të kërkesës për statusin kandidat në BE.
Ndërkohë, kryeministri Berisha premton se në mandatin e dytë prioritete do të jenë rritja e mëtejshme e pagave dhe pensioneve, për të parakaluar dhe 6 vendet të BE, investimet në infrastrukturë, zgjidhjen e çështjes së pronësisë, thellim të reformave në sistemin e drejtësisë, sistemin shëndetësor etj. Gjithashtu, brenda vitit të parë të mandatit të dytë qytetarët shqiptarë do të lëvizin të lirë, pa viza, në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Dje në miting, Partia Demokratike paraqiti edhe këngën e re të fushatës me titull “Shqipëria po ndryshon” e kënduar nga grupi më i famshëm “Elita 5”.
Këtë miting madhështor e përshëndetën edhe këngëtarë të njohur si, Genta Ismaili, Poloska, Bojken Lako, Stine, Çiljeta, etj.
...