Meta: Edi Rama tenton te na diskreditoje ne syte e Evropes
Meta apeloi për marrjen e masave urgjente për pajisjen e gjithë qytetarëve me karta identiteti, ndërsa tha se “nuk duhet të synojë asnjëra palë të sajojë sebepe, për të prishur zgjedhjet”.
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, është shprehur dje kundër çdo lloj skenari për shtyrjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të parashikuara për në datën 28 qershor, një opsion që Partia Socialiste e ka ende ne tryezë ndonëse nuk ka vendosur që ta artikulojë në publik përveçse me gojën e kreut të G99-ës, Erion Veliaj. Sipas Metës shtyrja e zgjedhjeve do të krijonte një imazh mjaft negativ për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Ndaj theksoi duhet marrë çdo masë që të gjithë qytetarët të mund të votojnë sipas rregullave të Kodit të ri Zgjedhor.
“Kanë pasur katër vjet kohë për të bërë Reformën Zgjedhore dhe për të zgjidhur problemin e kartave. Kemi që në Janar, që ju kërkojmë të gjejnë një zgjidhje konsensuale për çështjen e kartave. Nuk duhet të na turpërojnë që të shtyjmë zgjedhjet, apo ti dështojnë ato tani që jemi dhe vend anëtar i NATO-s, sepse do të diskreditonim edhe NATO-n, si një aleancë që pranon vende të papërgatitura për demokraci dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj, duhet gjetur çdo zgjidhje për të realizuar standarde sa më të pranueshme më 28 qershor”, deklaroi Meta.
I pyetur mbi korrespondencën e ngjeshur të ditëve të fundit mes Ministrisë së Brendshme dhe Partisë Socialiste për kartat e identitetit, Meta tha se “nuk duhet të synojë asnjëra palë të sajojë sebepe, për të prishur zgjedhjet”.
Këto deklarata meta i bëri gjatë një konference për shtyp ku duke iu referuar raportit të fundit të USAID, për sa i takon pasqyrimit të fushatës zgjedhore shprehu shqetësimin për njëanshmërinë që tregohet nga disa media nën presionin e disa forcave të caktuara politike, gjë që sipas tij ka cenuar standardet e një fushate demokratike, transparente dhe të hapur për opinionin publik.
Ndërkaq kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, tha se ishte i hapur për një debat publik lidhur me programin qeverisës si me kryeministrin Sali Berisha ashtu edhe me kandidatin për Kryeministër Edi Rama.
...