Diplomatët reagojnë për grevën e urisë së dhjetë deputetëve
Greva e urisë së dhjetë deputetëve të Kuvendit shqiptar, e cila ka hyrë në ditën e tetë të saj, ka marrë vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, të cilët nëpërmjet përfaqësuesve të tyre kanë bërë publike qëndrimet e tyre. Dje ka qenë ambasadori italian në Tiranë, Saba d‘Elia, i cili ka bërë komentin e tij. Ambasadori, ashtu si kolegët e tij, bën thirrje për një dialog politik, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të kënaqshme. "Natyrisht bëhet fjalë për një dialektike politike e bërë me vendosmëri nga ana e dhjetë parlamentarëve. Uroj që nëpërmjet mënyrave demokratike dhe parlamentare të arrihet në një zgjidhje të kënaqshme", është shprehur diplomati italian. Por, ditë më parë, në lidhje me grevën e dhjetë deputetëve janë shprehur edhe diplomatë të tjerë. Parlamentari belg, Denis Ducar, është shprehur se greva e dhjetë deputetëve është një ngjarje e rrallë për Evropën. Gjithashtu, ai ka kërkuar që politika shqiptare të ulet të diskutojë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme. Për zgjidhje të drejtë dhe konsensuale ka bërë thirrje edhe ambasada e SHBA-së në Tiranë. Dy ditë më parë, zëdhënësi i kësaj ambasade për gazetën ka theksuar se ambasada e ndjek situatën nga afër dhe nxit një zgjidhje nëpërmjet konsensusit. Në lidhje me komentin për çështjen e Kodit Zgjedhor, zëdhënësi i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, ka deklaruari për "Shqip", se "rregullat, rregulloret dhe aspektet teknike të zgjedhjeve dhe procesit zgjedhor kanë nevojë për një diskutim nëpërmjet mjeteve të hapura dhe bashkëpunuese". Gjithashtu, selia diplomatike e Uashingtonit në Tiranë ka theksuar qëndrimin zyrtar, që "zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri do të jenë një provë e vërtetë e nivelit të demokracisë së saj, ndërkohë që Shqipëria vazhdon rrugën e saj për një integrim të plotë euroatlantik". Kjo deklaratë, edhe pse ka qenë qëndrimi i parë i ambasadës amerikane pas nisjes së grevës së urisë, përbën një deklarim konstant të Uashingtonit zyrtar, i cili ka kërkuar nga Shqipëria që të ecë në rrugën e integrimit, duke zbatuar të gjitha standardet ndërkombëtare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.