Grevistët: Se njohim kodin zgjedhor pa bekimin tonë
TIRANË- Vetëm pak orë pas vendimit të konferencës së kryetarëve për ta votuar sot përmbajtjene draft-kodit të ri zgjedhor, 10 deputetët e ngujuar në Kuvend kanë firmosur një deklaratë të përbashkët ku theksojnë se nuk do ta njohin këtë kod, në rast se kalon pa konsensusin e tyre. Grevistët shprehen se do të vazhdojnë grevën e urisë deri në garantimin e një kodi zgjedhor që garanton barazi tek konkurrentët politikë.
“Nëse Kuvendi i Shqipërisë kalon këtë projektligj me nxitim, me shkelje të procedurave parlamentare, pa kontributin dhe konsensusin tonë, atëherë ne nuk do të njohim asnjëherë këtë kod zgjedhor dhe pasojat që vijnë prej tij. Do të vazhdojmë grevën e urisë të nisur deri në garantimin e një kodi zgjedhor që garanton besueshmëri tek votuesit, barazi tek konkurrentët politikë dhe transparencë maksimale për administrimin e votave. Do të vazhdojmë aksionin e madh sensibilizues në të gjithë Shqipërinë dhe botën për të arritur qëllimin tonë të vetëm, zgjedhjet e lira dhe të pakontestuara”, - thuhet në deklaratën e përbashkët të deputetëve grevistë, e bërë publike dje nga deputeti i LSI-së, Dritan Prifti. Në deklaratë, 10 deputetët grevistë theksojnë se “nuk e kuptojnë nxitimin e PS-PD-së për të mos u lënë kohë deputetëve të njohin dhe përgatiten për debat për ligjin zgjedhor”. “Kërkojmë minimumin e kohës që lejon rregullorja e Kuvendit prej 2 javësh dhe besoj që të gjithë deputetët e meritojnë këtë kohë”,- thuhet më tej në deklaratë. 10 deputetët e ngujuar, shprehen se greva e urisë në sallën e Kuvendit është mjeti i fundit sensibilizues për nevojën për dialog, të konsensusit të gjerë dhe bashkëpunimit mes forcave politike në vend, dhe sidomos me PS-PD-së. Në këtë mënyrë, ata janë përpjekur të sqarojnë se ky veprim i tyre nuk është një mjet presioni për të arritur qëllimet e tyre. “Ajo është paqësore, nuk synon realizim të qëllimeve të ngushta partiake, por vetëm realizimin e standardeve europiane për të garantuar zgjedhje të lira. Ne jemi të gatshëm të dalim nga kjo grevë dhe kontribuojmë për zgjidhje nëse PS-PD shprehen qartë për përfshirje më të gjerë të faktorëve politikë apo civilë në procesin e administrimit të zgjedhjeve, dhe nëse Presidenti i Republikës apo OSBE-ja garanton vërtetësi dhe seriozitet të këtyre deklaratave”,- thuhet në deklaratë.