O marinar, mos ju gëzo detit!
Nikollaq Neranxi
Dikur, në kohën kur mbretëria e transportit në brigjet shqiptare dhe ato mesdhetare në përgjithësi mbetej në prehër të detit, në ...portet kryesore të Jon-Adriatikut, lundërtarët dhe punëtorët e detit kishin një shprehje të tyre. Ishte në formën e një këshille të urtë, por që kishte dalë nga përvoja e brezave shekullorë të detarëve. “O lundërtar mos ju gëzo detit!”. Këtë shprehje e kam ditur prej prindërve të mi në Himarë, dhe sidomos, prej gjyshit nga ana e nënës, Manol Zotos, i cili ishte një “bir i vërtetë i detit”. Njihte më mirë fundin e detit, se sa brigjet e Maleve të Vetëtimës.
Kjo shprehje më qëndroi gjatë në mendje këto ditë, ndërsa udhëtova, 10 ditët e fundit nga Vlora, në Himarë e kthim, e mandej, nga Rinasi në brigjet e Athinës. Para këtij udhëtimi u gjenda për punë edhe në brigjet e Italisë së Jugut. Vizita në dy vendet fqinjë në këtë periudhë, kur ka nisur sezoni i ri veror dhe turistik më riktheu në trishtimin tim për pamjen e brigjeve tona joniane, në Himarë. Lundrimi i mjeteve motorike në Shqipëri është ligjërisht tash e tre vjet, “Mollë e ndaluar”. Moratoriumi i votuar imponueshëm nga shumica parlamentare e deritanishme, ua hoqi skafeve dhe pronarëve shqiptarë të transportit privat, motorët, duke i rikthyer ata tek “forca e krahut”, pra “te lopata e varkës”. Kaluan tri vjet e gjysmë dhe sot ky ligj vazhdon të mbetet në fuqi, ndonëse afati kohor i parashikuar me ligj është shumë afër afatit skadues. Detet dhe ujërat shqiptare i “mban peng” urdhri dhe moratoriumi absurd. S’ka vend të dytë që mund të ngjasë kështu, si me vendin tonë, i cili klasifikohet ndër vendet me pasuri përrallore ujore, me dete, liqene dhe lumenj. Por për shkak të ligjit dhe urdhrit, jemi të dënuar të shijojmë shprehjen: ”Shih me sy e plas me zemër!”
Pse vazhdon të mbetet në fuqi moratoriumi?! Kjo nuk është vështirë për t’u mësuar. Kryeministri aktual i ka dhënë fjalën një kolegu apo homologu fqinj dhe ai di ta mbajë fjalën e dhënë. Kjo fjalë e dhënë, po i privon shqiptarët nga e drejta e lëvizjes nëpër ujë me mjet motorik të vogël, e aq më keq privat. Kjo ‘fjalë e dhënë”, po e klasifikon Shqipërinë ndër vendet me liri të kufizuar transporti detar e për rrjedhojë edhe me një turizëm primitiv, e vetëm familjar. Statistikat që tunden nga administrata turistike, mund të jenë pikërisht ato, por ato statistika s’kanë lidhje me mundësitë, resurset dhe avantazhet që ofron klima dhe natyra e vendit.
Ky moratorium nuk pengon dhe privon vetëm qytetarët shqiptarë, ky moratorium po mban peng dhe të vonuar Shqipërinë si vend detar. Ky moratorium po rëndon dhe vonon mundësitë fitimprurëse të ngritjes dhe modernizimit të marinës private shqiptare, po vonon në ngritjen e limaneve dhe porteve e deri aeroporteve detare. Nëse do të takosh administratorë dhe frekuentues të huaj në portin e jahteve në Orikum të Vlorës, do të njihesh me tregues dhe ankesa të shumta që vijnë prej moratoriumit absurd.
Ky moratorium që e ka tradhtuar qëllimin e tij të parashikuar, duhet të lirojë pengmbajtjen e turizmit dhe të së drejtës detare në vend. Së paku, le të bëhet për këtë periudhë sezonale, për tri apo katër muajt e këtij behari! Jemi në krizë financiare dhe kjo masë do të ndikonte jo pak, nëse e heqim këtë pengesë absurde. Kjo do të mundësonte jo vetëm shtimin e frekuentimeve ditore të turistëve të huaj, por nga ana tjetër do të rikthente si frekuentues qindra e pse jo edhe mijëra emigrantë shqiptarë. Heqja e këtij moratoriumi do të mundësonte thithjen e dhjetëra jahteve private dhe të kompanive turistike, të cilat kanë nisur të mësyjnë Mesdheun dhe vendet fqinjë me Shqipërinë që nga Kroacia, Mali i Zi, Italia, Greqia e gjetkë.
Moratoriumi mund ta ketë jetëgjatësinë e parashikuar në ligj, deri në muajin tetor të këtij viti, por kjo nuk përbën ndonjë pengesë për të vepruar në kohë prej qeverisë. Madje, kjo qeveri nëse dëshmohet pragmatiste me veten, mund ta marrë një vendim “ngrirës” të Moratoriumit antiskaf, për këto muaj, duke e shtyrë veprimin e ligjit për muajt pas tetorit. Në këtë mënyrë fiton edhe një shans për të përfituar vota më shumë prej marinarëve, njerëzve dhe banorëve ndanë detit, por pse jo edhe prej kategorive të tjera që kanë interes të drejtpërdrejtë nga pushimi i këtij moratoriumi, që ndëshkon shtetasit shqiptarë për hatër të një fjale të dhënë diku te fqinjët. Nëse ky moratorium do të mbahet ende në fuqi, atëherë këshilla e vjetër e marinarëve bregdetarë: “O marinar mos iu gëzo detit”, do të fitojë vlerë për arsye dhe motiv tjetër. Pra, për një motiv që e di vetëm qeveria e sotme dhe e vuajnë paradoksalisht qytetarët e lirë të privuar prej lundrimit motorik.