Kryeprokurori: Në Berat s’ka më të fortë
BERAT – “Në Berat nuk ka më të fortë”. Kështu shprehet kryeprokurori i këtij qyteti, Xhemal Saliasi, teksa i referohet dosjeve të ashtuquajtura “të zeza” të ’97–ës. Shumica e këtyre dosjeve tashmë janë arkivuar tek ato të përfunduara, ndërsa autorët e tyre ndodhen përtej hekurave. Sipas Saliasit, falë bashkëpunimit edhe me policinë, është arritur identifikimi, lokalizimi dhe më pas arrestimi i autorëve të këtyre ngjarjeve të rënda. Pas hapjes së këtyre dosjeve, të cilat kishin nisur të zinin pluhur në sirtarë, policia dhe prokuroria e bazuan së tepërmi punën edhe tek bashkëpunimi me komunitetin. Këta të fundit jo rrallë herë kanë qenë dëshmitarët okularë të ngjarjeve të tmerrshme, që ende nuk kanë ikur nga memoria e beratasve. Rimarrja e dëshmive të tyre, por edhe e familjarëve të viktimave, si dhe ballafaqimi edhe një herë i provave të administruara në dosjet përkatëse bëri që Prokuroria e Beratit të firmoste një pas një urdhër arrestet për personat që përgjakën qytetin, duke vrarë dhjetëra të pafajshëm në vitin 1997. “Në sajë të një pune mjaft të specializuar hetimore është arritur zbardhja e rreth 80 për qind e dosjeve të ’97-ës. Autorët e tyre lëviznin lirshëm si brenda vendit ashtu edhe jashtë saj. Por tashmë janë dënuar për këto krime 40 persona. Një pjesë e tyre ndodheshin jashtë vendit, por ata janë arrestuar dhe më pas ekstraduar nga shtetet perëndimore për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata”, u shpreh kryeprokurori Saliasi. d.xh