Zjarrfikëset, hartë zonave me rrugë shumë të ngushta
SHKODER / RIDVAN DIBRA
Pengesat për t’u futur në vendin e ngjarjeve për shkak të rrugëve të ngushta, kanë bërë që zjarrfikëset t’i paraqesin bashkisë një hartë të vendeve më problematike me qëllim ndërhyrjen e tyre. Në jo pak raste makinat e zjarrfikëseve kanë mbërritur kur flakët kishin shkrumbuar gjithçka, pasi hapësirat në dispozicion nuk ishin në favorin e tyre. Ndërsa ardhja e stinës së verës e bën më alarmante situatën. Zjarrfikësit ankohen se ndërtimet e shumta dhe pa kriter të bëra gjatë 18 viteve të fundit në Shkodër, si dhe papërgjegjshmëria e qytetarëve në parkimin e makinave vend e pavend, janë kthyer në një pengesë serioze për efektivat e repartit të zjarrfikësve. Shefi i Sektorit të PMNZSH-së për Shkodrën, Ilir Kopliku u shpreh se mbetet problem tepër i madh parkimi i automjeteve natën në rrugët njëkalimëshe, si dhe bllokimi nga ana e personave të papërgjegjshëm i numrit të emergjencës 128. Sipas tij, problematike mbeten ndërtimet pa leje të bëra vite më parë. Ato nuk lejojnë qarkullimin normal në të gjitha rrugët e qytetit të automjeteve të zjarrfikësve.
Për të minimizuar këtë problem, sektori i PMNZSH-së ka evidentuar të gjitha pikat e nxehta në të tria bashkitë, duke përcaktuar me foto dhe adresë të saktë çdo pengesë që hasin zjarrfikësit për kryerjen e detyrës së tyre. CD-të që paraqesin këto pengesa së bashku me adresat e sakta i janë bërë prezente secilit prej kryetarëve të bashkive, të cilëve u është kërkuar që nëpërmjet strukturave të tyre vartëse të ndërhyjnë për eliminimin e tyre. “Kryebashkiakët kanë bërë punë të mirë, pasi rrugët janë asfaltuar dhe automatikisht janë eliminuar shumë prej ndërtimeve të paligjshme”, u shpreh Kopliku. Ndërkaq, shqetësim i kohëve të fundit për ne mbetet parkimi i mjeteve natën në rrugët e ngushta tradicionale të qytetit të Shkodrës. Në raste zjarresh është vështirë që punonjësit e repartit të zjarrfikësve të ndërhyjnë në kohë, pasi rrugët janë bllokuar nga vargu i makinave. Meqenëse ky problem është shqetësues, PMNZSH ka nisur të bashkëpunojë edhe me Policinë Rrugore dhe seksionet përkatëse të bashkive për sensibilizimin e komunitetit dhe detyrimin e tyre nëpërmjet gjobave të vëna nga policia për të minimizuar sadopak këtë fenomen. Shefi i sektorit të PMNZSH-së, Kopliku theksoi se reparti i zjarrfikëseve ka një kompletim të një niveli të kënaqshëm me bazë materiale.