E Shtunë, 31 Tetor 2026

OBAMA Po shohim dritë në fund të tunelit

13/04/2009  Presidenti: Të punojmë së bashku në zgjidhjen e sfidave globale

Me t’u kthyer nga vizita e tij e parë jashtë vendit si President i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i bëri thirrje kombit për të punuar së bashku në zgjedhjen e sfidave me të cilat ballafaqohet bota. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës, Aleks Villarreal, në fjalimin e përjavshëm, zoti Obama shënoi festën e Pashkëve dhe bëri thirrje për të lënë mënjanë dallimet dhe për të gjetur fuqinë në gjërat e përbashkëta. Presidenti Obama thotë se festa e Pashkëve është një moment reflektimi për detyrimet që njerëzit kanë për njëri-tjetrin, duke lënë anash dallimet mes tyre.

Zoti Obama tha se së bashku është mënyra e vetme për të zgjidhur krizën ekonomike dhe për të mposhtur kërcënimet globale, si Al-Kaidën dhe përhapjen e armëve bërthamore.

“Këto janë sfida që asnjë vend, pa marrë parasysh fuqinë e tij, nuk mund t’ia dalë i vetëm. Shtetet e Bashkuara duhet të udhëheqin. Por mënyra më e mirë për të zgjidhur këto probleme të pashembullta realizohet duke vepruar në bashkërendim me vendet e tjera”. Presidenti tha se kjo ide e përcolli në udhëtimin e tij jashtë vendit javën e kaluar.

Në takimin e NATO-s, i cili u mbajt në një vend në afërsi të kufirit të Gjermanisë dhe Francës, zoti Obama tha se aleatët kanë ofruar ndihma të rëndësishme për të mbështetur strategjinë e re amerikane për Afganistanin dhe Pakistanin. Në Republikën Çeke, Presidenti tha se paraqiti strategjinë për të bashkëpunuar me Rusinë dhe vendet e tjera për të ndaluar përhapjen e armëve bërthamore.

Po ashtu në samitin G-20 në Londër, zoti Obama tha se vendet pjesëmarrëse arritën në një mendim të përbashkët për t’iu kundërvënë problemeve ekonomike të botës. “Unë u takova me udhëheqësit e vendeve të G-20 për t’u siguruar se ekonomitë më të mëdha të botës do të ndërmarrin një veprim të përbashkët dhe të fuqishëm ndaj krizës globale ekonomike. Së bashku, ne kemi ndërmarrë hapa për të stimuluar zhvillimin ekonomik, për të përmirësuar tregun e kredive, hapjen e tregjeve, dhe për të reformuar dukshëm sistemin e rregullatorëve financiarë, në mënyrë që të parandalojmë kriza të ngjashme në të ardhmen, hapa të cilat do të çojnë tek krijimi i vendeve të punës në Amerikë”.

Mirëpo republikanët nuk janë të sigurt për planet e Presidentit për ekonominë e vendit. Në fjalimin e përjavshëm të republikanëve, Guvernatori i shtetit Minesota, Tim Paulenti tha se buxheti federal i propozuar nga Presidenti Obama për vitin 2010 nuk përfshin shkurtimin e premtuar të taksave. “Ky buxhet krijon shumë borxhe të reja, për mbulimin e së cilave do të nevojiten taksa më të larta për të gjithë ne dhe fëmijët tanë. Unë mendoj se kjo është e padrejtë. Tashmë familjet po ballafaqohen me vështirësi dhe bizneset e vogla nuk janë në gjendje të krijojnë menjëherë vende të reja pune. A nuk është koha që ne të pushojmë së punuari për qeverinë dhe që qeveria të fillojë të punojë për ne?”,- tha zoti Paulenti.

Demokratët në Kongres mbështetën një variant të modifikuar të planit të Presidentit për shpenzimet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat javën e kaluar, megjithë kundërshtimin e fuqishëm të republikanëve në opozitë. Presidenti Barak Obama tha se ekonomia amerikane në krizë po fillon të shfaqë “rreze shprese”, por kostoja e përpjekjeve të fuqizimit e ka çuar buxhetin qeveritar në nivele të larta rekord.

Zoti Obama i bëri komentet dje në Shtëpinë e Bardhë, pas takimit me këshilltarë dhe zyrtarë të lartë ekonomikë. Ai tha se ekonomia mbetet “nën stres të theksuar” dhe se administrata “ka ende shumë punë për të bërë”, për të rikthyer rritjen ekonomike dhe për të ndalur shkurtimin e vendeve të punës. Por në një raport të Rezervës Federale, siç njihet ndryshe Banka Qendrore e SHBA-së, thuhej se kostoja e përpjekjeve qeveritare për rimëkëmbjen ekonomike e ka rritur buxhetin federal në 956.8 miliardë dollarë, vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit fiskal 2009, që filloi në tetorin e kaluar. Deficiti buxhetor u përkeqësua, ndërsa recesioni bëri që të pakësohet sasia e taksave ndaj të ardhurave, që e mbledh qeveria.

Takimin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë me ekipin e tij ekonomik, me fokus ekonominë, pas kthimit nga turneu njëjavor në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, Presidenti Obama e quajti një bisedë tepër interesante.

"Po shtohet numri i pronarëve që duan ta rifinancojnë shtëpinë" rifinancojnë kredinë e marrë nga banka dhe tha se sheh një rreze shprese për ekonominë, por megjithatë, ai theksoi se mbetet ende shumë punë për t’u bërë. "Ekonomia vazhdon të jetë nën një stres të madh. Dhe gjatë Pashkëve të këtij viti, duhet të mbajmë në mendje se çfarëdo vendimi që marrim, duhet të ndikojë tek rritja ekonomike, tek krijimi i vendeve të punës dhe shtimi i të ardhurave për popullin amerikan",- tha ai.

Zoti Obama i bëri këto komente pasi u takua me Drejtorin e Bankës Qendrore Ben Bernanke, me rregullatoren e Bankës Shaila Blair, me ekipin e tij ekonomik të kryesuar nga Sekretari i Thesarit Tim Gajtner, si dhe me Kryetarin e Këshillit Kombëtar për Ekonominë, Larri Samërs. Një numër përherë e më i madh ekonomistësh janë duke shprehur optimizëm për ekonominë amerikane, me besimin se ajo mund të rimëkëmbet nga ai që është cilësuar si Depresioni më i thellë që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Recesioni i ekonomisë amerikane filloi në dhjetor të vitit 2007. Këtë vit pritet që rritja ekonomike të jetë negative dhe ritmi i papunësisë, që aktualisht është 8,5 për qind, pritet të rritet në ndoshta 10 për qind deri në fund të vitit. Megjithëse problemet vazhdojnë, zoti Obama tha se ai po fillon të shohë përparim dhe se është i bindur që ekonomia do të rimëkëmbet. Një javë më parë, gjatë vizitës së tij në Londër, zoti Obama mori pjesë në takimin urgjent të udhëheqësve të 20 ekonomive më të mëdha të botës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›