E Shtunë, 31 Tetor 2026

OBSH: 3 mijë vdekje në vit nga duhani

SHKRUAN: Jonida Tashi 15-07-2011 11:48

Pirja e duhanit po shkakton rreth 3 mijë vdekje në vit, që kanë të bëjnë me sëmundjet e qarkullimit të gjakut dhe kancerin. Shifra alarmante bëhet e ditur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila ka realizuar për herë të parë një studim në vendin tonë, për nivelin e vdekshmërisë nga përdorimi i duhanit, apo qëndrimit në ambientet ku konsumohet ky produkt. Alarmi rritet teksa raportohen të dhënat më të freskëta mbi vdekshmërinë në një vit nga kanceri. Ky numër është katërfishuar, pasi rezultojnë se 2565 shqiptarë vdesin në vit nga kjo sëmundje. “Gjithsej numri i të vdekurve me sëmundjen e kancerit atribuar duhanit është 1197. Vdekje të shkaktuara nga qarkullimi i gjakut, nga sëmundjet e zemrës, 4500 janë meshkuj dhe 4476 femra. Në bazë të të dhënave të OBSH-së, 1800 persona janë viktima të duhanit”, - pohon specialisti i duhanit në Institutin e Shëndetit Publik, Roland Shuperka. Sipas të dhënave të studimit të OBSH-së, për vendin tonë, 18% e sëmundjeve që përfundojnë më pas me vdekje shkaktohen nga përdorimi i duhanit, dhe prek më së shumti grupmoshat nga 30 deri në 59 vjeç. “18% e të gjitha sëmundjeve që shkaktojnë vdekje mbi moshën 30 vjeç i atribuohen duhanit. Në vitin 2009, sipas INSTAT, mbi moshën 30 vjeç kanë vdekur 8 mijë e 13 meshkuj dhe 6 mijë e 867 femra”, - deklaron Shuperka. Sëmundjet më të përhapura, ku duhani vret më shumë, sipas studimit të OBSH-së janë sëmundjet kancerogjene dhe ato kardiovaskulare, me 3000 vdekje në vit. “Ne po i referohemi vdekjeve nga kanceri që kanë ndodhur në vitin 2009. Afro 53 %, 870 meshkuj kanë vdekur nga përdorimi i duhanit. Dhe 320 femra me të njëjtën pasojë nga duhani. Vetëm nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut si dhe nga kanceri, janë afro 3 mijë persona që kanë vdekur, duke iu atribuar duhanpirjes si dhe qëndrimit në ambiente me tym duhani”, - sqaron më tej specialisti Shuperka. Studimi i OBSH-së, që është kryer nga specialistë të kësaj organizate, duke përfshirë të gjitha vendet anëtare të saj, ka nisur në vitin 2004. Të dhënat alarmante të këtij studimi, duket se kanë vënë në lëvizje strukturat përkatëse të Shëndetësisë. Bazuar në një urdhër të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, është vendosur ngritja e një grupi të përbashkët Task-Force, në zbatim të Ligjit Antiduhan, që ka hyrë në fuqi më 26 maj të vitit 2007. Specialisti pranë ISHP, Roland Shuperka që është edhe personi i caktuar nga ministri Vasili për këtë Task-Forcë bën të ditur se tashmë po punon me mbledhjen e grupit të punës, për të ulur nivelin e duhanpirjes në vendin tonë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›