E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e borxheve, Italia gati planin e shkurtimeve

Në tre vitet e ardhshme, Italia duhet të kursejë 79 miliardë euro. Me 161 vota pro dhe 135 kundër, si dhe me tri abstenime, senati në Romë pranoi paketën disa miliardëshe. Nën presionin e tregjeve financiare dhe të BE-së, ministri i Financave Giulio Tremonti në tre vitet e ardhshme duhet të kursejë 79 miliardë euro, nga 47 miliardë që ishte parashikuar fillimisht, njoftojnë mediat italiane. Gjatë vitit në vazhdim, janë planifikuar rreth 3 miliardë euro kursime, për vitin 2012 janë 6 miliardë, në 2013 duhet të kursehen 25 miliardë dhe 45 miliardë në 2014. Këto hapa të parë kursimesh prekin rajonet dhe komunat, si dhe sektorin e shëndetësisë, bëhet e ditur më tej. Të ardhurat vitin e ardhshëm duhet të përfitohen gjithashtu nga kursimet në sektorin e shërbimeve publike dhe nga taksat e posaçme ndaj pensioneve të larta. Italia pason Greqinë si vendi me borxhet më të larta në eurozonë. Në senat, kryeministri Berluskoni, i dobësuar prej një sërë skandalesh me drejtësinë dhe aferave të seksit, ka mbështetjen nga shumica: kësisoj paketa miliardëshe u miratua nga senati me 161 vota pro dhe 135 kundër, si dhe me tri abstenime senati në Romë pranoi paketën disa miliardëshe, përmes së cilës qeveria synon të sigurojë besimin e tregjeve ndaj aftësisë kredituese të vendit. Sot pritet edhe vota e parlamentit. Kryeministri 74-vjeçar synon sot në darkë, përmes mocionit të votëbesimit, parlamenti të miratojë përfundimisht planin për buxhetin. Opozita më parë pati premtuar, se ndonëse nuk është dakord, nuk do ta pengojë projektbuxhetin. Pas Greqisë, Italia për shkak të deficiteve strukturore dhe rritjes së ulët ekonomike, është vendi i dytë me borxhet më të larta në eurozonë. Sipas vlerësimeve të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në vitin 2011 borxhet e Italisë do të arrijnë në 120,6% të produktit bruto në vend.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›