Përllogaritja e pikëve, pas dorëzimit të Formularit A2
Përllogaritja e pikëve për çdo maturant, sipas sistemit Meritë-Preferencë, do të nisë menjëherë pas dorëzimit të Formularit A2, ku maturantët do të rendisin preferencat e tyre për studimet e larta. Pas shpalljes së rezultateve për provimet me zgjedhje, do të vijojë procesi i përpunimit të të dhënave përkatëse për të gjithë komponentët e Maturës Shtetërore, duke përfshirë mesataren e shkollës së mesme dhe notat e katër provimeve të Maturës. Kjo procedurë do të bëjë të mundur detajimin e listave me emrat fitues të maturantëve, që do të kenë të drejtë të vijojnë studimet e larta për vitin akademik 2011-2012. Pas përpunimit të të gjitha të dhënave të grumbulluara për kandidatët maturantë për studime në universitetet publike, do të përcaktohet fillimisht lista e fituesve të fazës së parë. Në bazë të vendeve të mbetura bosh nga kjo fazë, do të detajohet lista me fituesit e fazës së dytë, sipas rendit zbritës të pikëve dhe kufirit të pranimeve për çdo degë. Nëse sërish do të rezultojnë vende të lira do të hartohet lista e radhës me fituesit e universiteteve, deri sa këta të fundit, të plotësojnë numrin e kuotave të vëna në dispozicion nga qeveria.