Bilanci i Maturës, 800 mbetës në më shumë se një provim
Numri i lartë i mbetësve të Maturës së këtij viti duket se është balancuar me rritjen e numrit të maturantëve me rezultate të shkëlqyera. Por, megjithë këtë fakt që deklarojnë autoritetet e arsimit, sipas të cilëve, këtë vit numri i maturantëve mbetës është më i lartë dhe po ashtu më i lartë është edhe numri i nxënësve të shkëlqyer, një pjesë e konsiderueshme e maturantëve kanë rezultuar mbetës në më shumë se një lëndë. Në bilancin paraprak për Maturën e këtij viti, konstatohet se janë mbi 6000 maturantë mbetës, nga të cilët, rreth 800 janë jokalues në më shumë se një provim. Ndërsa, përsa i përket nxënësve të shkëlqyer, autoritetet e arsimit thonë se Tirana kryeson në listën e rretheve që ka numrin më të lartë të maturantëve ekselentë. “Numri i mbetësve është rreth 6200, nga të cilët, 400 janë në një lëndë. Lidhur me korrektësinë që pati, Matura Shtetërore kishte numër të konsiderueshëm mbetësish, sepse ata që mundohen të kopjojnë janë nxënësit e dobët. Mbetësit në lëndën e Matematikës, për shembull, janë të sistemit të korrespondencës”, - thotë drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu. Por, edhe për ata maturantë që mund të kenë mbetur në të katër provimet do të ketë një shans të dytë. Në dispozicion të tyre do të jenë sërisht tri data provimesh vjeshte, që do të mbahen në muajin shtator. “Janë 800 nxënës që kanë më shumë se një lëndë. Pra, kanë dy, tre, por mund të kenë edhe katër. Provimet do të jenë në tri data. Një ditë është Letërsia, një ditë Matematika dhe një ditë do të jenë provimet me zgjedhje dhe nxënësi mund të ketë dy provime dhe do t’i japë të dyja në një ditë”, - pohon Vejsiu. Ndërkohë në ditët në vijim pritet dhe shpërndarja e Formularit A2, në të gjitha shkollat e vendit. Plotësimi i Formularit A2 do të nisë më 22 korrik, për të përfunduar në datën 30 të po këtij muaji. Pas plotësimit të këtij formulari, do të nisë edhe përllogaritja e pikëve për secilin maturant, ndërsa shpallja e fituesve të fazës së parë pritet të bëhet nga mesi i muajit gusht.